Hej, milet!
Hapni sytë, o njerëz të letrës,
po vjen një tender i ri!
Sot nxirret në shitje kujtesa,
nesër… kush e di!
Mblidhuni te Sheshi i Fjalës,
poetë, rapsodë e shkrimtarë,
merrni me vete vargjet e vjetra,
se koha i ka nxjerrë në pazar.
Shitet një këngë e lashtë,
një legjendë, një gur, një kala,
një emër që ka mbajtur shekuj,
jepet për një çmim sa një fjalë.
Merreni Naimin me kilogramë,
Migjenin vendoseni në vitrinë,
Këngën e Kreshnikëve në ankand,
dhe kujtesën… futeni në magazinë!
Mos harroni poetët e heshtur,
ata që shkruan pa bujë e lavdi,
se sot për të hyrë në antologji
duhet të kesh më parë një miqësi.
Shitet një fjalë “Atdhe”,
me ulje për blerësit me shumicë,
“Gjuhë shqipe” vjen në ofertë,
kurse “Kujtesë” është pothuaj falas sot.
Ejani, mos humbisni rastin!
Merrni një histori të përdorur,
një trim të nxjerrë nga muzeu,
një flamur pak të harruar.
Dhe nëse mbetet ndonjë varg
që s’pranon të shitet në pazar,
futeni në arkë, mbylleni mirë
se mos zgjohet ndonjëherë shqiptar!
Po ç’na mbeti pa shitur, milet?
Malet? Deti? Gurët e shtëpisë?
Jo, jo… ato vijnë në raundin tjetër,
sot është radha e poezisë!
Dhe kur të na vijë radha neve,
kur të kërkojmë një emër, një histori,
do pyesim: “Ku është Shqipëria?”
Dhe dikush do të përgjigjet:
“E kishim dikur…
por ishte në ofertë,
dhe e bleu dikush tjetër.”
Hej, milet!
Mbylleni tenderin!
Ruajeni një varg për nesër,
një këngë për fëmijët,
një emër për gurin,
një Shqipëri për shqiptarët.
Se një komb që shet kujtesën
për pak shkëlqim e pak ar,
një ditë zgjohet pa histori
dhe s’di më as vetë
ku e ka pasur shtëpinë.
