NËNTË VJEÇ NË KLASË TË PARË
-Mësuesit tim të parë Shemsi Stublla
Nuk kisha si të mos qaja
Askush s’çante kokën për mua
I ndarë nga moshatarët
Ata çdo ditë në shkollë
Sa fort ua kisha lakmi
Unë vetëm çoban me dhenë
Prita më kot vitin tjetër
Përsëri çoban i dhenve
Emri im ishte harruar
Nuk isha n’ asnjë defter
Kur unë paskam lindur
S’qenka gëzuar askush për mua
Shkoi dhe shtatori tjetër
S’ më mbeti tjetër veç të qarët
Nënës ia këpusja shpirtin
Babai më shihte më rrallë
Një mbrëmje sa u shtrua sofra
O Zot vendosej për fatin tim…
Në Nëntor me plis të bardhë
Jo n’ të tretën po n’ klasë të parë
Mësues Shemsiu kish’ rënë në hall
Kishte vënë dorën mbi ball
Pas tre muajsh me kaq vonesë
A mund të kishte për mua shpresë
Si t’ia bëj me ty or djalë
Kur shokët tu kanë shkuar aq larg
Jo jo i dashtni mësues
Germat i di të gjitha varg
Edhe mësimet në abetare
Di t’i lexoj hiç pa gajle
Edhe sot si atëherë moti
Mësues Shemsiu më rri ndër sy
I gëzuar baras me mua
Kur më shkroi emrin n’ditar
Në gjysmë- vjetor nxënësi më i mirë
Ndonëse vonë një fat i bardhë
Poezi nga Sylejman Pireva