Tuesday, December 23, 2025
BallinaVitrina e libritRudina Muharremi Beja-Rituali i përkundjes së shilarësit.

Rudina Muharremi Beja-Rituali i përkundjes së shilarësit.

Rituali i përkundjes së shilarësit.

Ditët udhëtonin me ritmin e tyre të ngadaltë të mbushura me monotoninë e përhershme ndërsa mëngjeset dhe mbrëmjet vazhdonin të ishin ende të freskëta.

Një drithërimë që dukej sikur dilte prej palcës së eshtrave i përshkoi tërë trupin dhe i kujtoi të mbërthente deri në fund zinxhirin e xhaketës

Mbrëmjeve ndërtesat kyçnin portat e drunjta e dritaret që dridheshin prej erës kurse fenerët e hekurt të udhës mbuloheshin nga një vel tymi që i bënte të dukeshin ende më të zbehtë. Kambana e qytetit shponte qiejt me tingujt e saj të mprehtë e të pa rregullt kurse retë luanin duke pikturuar forma të ndryshme dhe here – herë çelnin ndonjë frëngji prarimit të verbër të Hënës.

Kreshta e malit ruante ende një shtresë të bardhë dëbore e megjithatë mureve të vjetër të ndërtesave tek tuk çilte ndonjë lule kokëfortë, ndërsa trëndafilat e majit mëngjeseve ngrinin kryet mbi avllitë e larta.

Një zotëri shtatlartë e i shëndoshë në fytyrën e të cilit gjithnjë shfaqej një nënqeshje shpotitëse, tashmë në pension vinte qark vilës së tij madhështore. Kishte kaq shumë vazo të mëdha me trëndafilë shumëngjyrësh në atë oborr të madh që rrethohej me kangjella të çuditshme, ngjyrosur në mënyrë maniakale e me maja të mprehta që dukej sikur thernin ajrin. Sa herë kalonte andej, zotëria me buzëqeshjen pothuaj të stamposur përshëndeste duke ngritur dorën.

-Hej, je mirë, ditë të bukur!

Një ditë kishte zbritur në rrugë e kishte folur me një trishtim të theksuar në fytyrë:

-Oborri s’më pëlqen shumë, do ta shkul e do të vë pllaka porfiri.

– Për këtë je mërzitur – i tha dikush?

-Do të krijoj dekoracione e forma të ndryshme e më pas të mbjell sërish lule, kishte vijuar të fliste gjithë pasion ai.

– Do të shikoni sa bukur do të jetë.

Dy ditë më vonë një skavator i madh shkulte gjithë betonin e oborrit, ndërsa ai vetë, me një zetor të kuq largonte materialet drejt pikës së shjarkimit. Nuk ndalonte së lyeri kangjellat e krahut tjetër, ndonëse moti ishte bërë gati për shi. U fliste të gjithë kalimtarëve e u tregonte i ngazëllyer për pamjen që vila e tij e madhe do të merrte më pas. U fliste edhe punëtorëve me një ton kërkues për një punë më të shpejtë, pasi shtëpia ishte në cep të rrugës dhe rrëmuja mund të dukej nga jashtë

Më pas zbuste zërin dhe diskutonte një ulje të mundshme çmimi…

Herë-herë merrte ndonjë picë për të ngrënë dhe para se të largohej nga banaku numëronte me skrupolozitet të madh qindarkat e kusurit. Sistematikisht pyeste nëse ato qindarka i mjaftonin për një akullore me tre gusto, dhe sistematikisht pronarët e lokalit buzëqeshnin e i ofronin gustot e kërkuara. Skena vijonte të bëhej e

përditshme.

Burri jetonte i vetëm në atë ngrehinë 4 katëshe. S’ kishte dashur kurrë të martohej pasi kishte patur frikë se gratë mund t’i mernin pasurinë, shtëpinë, gjithçka ndonëse nuk harronte kurrë t’u bënte komplimenta.

Në atë rrëmujë të çmendur materialesh diçka i kishte shpuar këmbën, as vetë s’ e kishte kuptuar çfarë, por natyrisht s’i kishte dhënë rëndësi.

S’kishte vajtur as në farmaci të merrte ndonjë dizinfektues e as në spital për një kontroll më të detajuar. Këmba u përkeqësua aq shumë saqë filloi t’i jepte probleme serioze derisa një ditë nuk lëvizte dot.

Telefonoi në restorant dhe njoftoi se ishte i pamundur të lëvizte e se duhet t’i dërgonin ushqimin në shtëpi duke u kujtuar se vakti nuk duhet të kalonte kurrsesi koston e stabilizuar…

Në mëngjes herët ambulanca me drita të ndezura ndaloi në oborrin e tij të zhbërë. Morëm vesh se e dërguan me urgjencë në spital. Kishte përfunduar direkt në sallën e operacioneve ku i kishin prerë tërë këmbën.

Punëtorët vijuan punimet edhe pa prezencën e tij, ndërruan oborrin sipas kërkesave të zotërisë ndërsa nipërit u përkujdesën për lulet dhe pastrimin e ndërtesës së trishtë.

Asnjëherë s’u ulen në shilarësen e tij, ia kishin frikë dhe hijen…

Kur doli nga spitali, kërkoi ta shoqëronin me karrocë rreth e qark shtëpisë e të kontrollonte punimet

Nuk reshti asnjë çast së foluri për për shkallët e mermerta, për vazot moderrne e për kangjellat e punuara nga vetë ai e të lyera me fanatizëm.

Ashtu i zbehtë e i lodhur ngriti telefonin dhe kërkoi t’i dërgohej mundësisht ushqimi në shtëpi.

Nuk harroi të bënte të njejtat rakomandime mbi çmimin, masën e porcioneve dhe akulloren, ndërsa

shilarësi vazhdonte rituialin e përkundjes së boshatisur në ajër.

Mund të jetë një imazh i mobilie dhe ambiente të jashtme
Artikulli paraprak
Artikulli i ardhshëm
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT