Më 27 prill 1982 u nda nga jeta Skënder Luarasi, shkrimtar, përkthyes dhe studiues i shquar i letrave shqipe. Skënder Luarasi lindi më 19 janar 1900 në Luaras të Kolonjës. Arsimin fillor e nisi në shkollën shqipe të Negovanit (1909-1911) nën kujdesin e të atit, Petro Nini Luarasit. Më pas studioi në Robert Kolegj, në Stamboll, Turqi (1912-1913). Shkoi në SHBA dhe kreu “Internacional Kolegj-Springfield Mass” (1916-1920). Dy vjet më vonë kreu gjimnazin klasik Fraishtadt në Austri (1922-1926) dhe u diplomua në Fakultetin e Filologjisë në Vjenë, Austri më 1930-n.
Duke ndjekur shembullin e të atit, ai ia kushtoi gjithë jetën e tij shërbimit ndaj çështjes kombëtare dhe kulturës shqiptare. Luarasi e ka nisur aktivitetin letrar që në moshën 17-vjeçare. Brezi përparimtar i viteve 1930 e dallon si arsimtar, publicist, gazetar, përkthyes, dramaturg dhe si drejtues e bashkëpunëtor i disa organeve të shtypit përparimtar. Ishte pjesë e vullnetarëve shqiptarë në luftën antifashiste të Spanjës. Ai ka qenë editor-përgjegjës në revistat: Studenti ShBA, 1920, Djalëria, Austri, 1927-1928 dhe kryeredaktor i revistës Vullnetari i Lirisë Spanjë, 1937, organ i vullnetarëve shqiptarë në luftën antifashiste të Spanjës.
Pas çlirimit të vendit është, Skënder Luarasi ishte një nga nismëtarët e themelimit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe qëndroi anëtar i kryesisë së saj deri në nëntor të vitit 1949, kur u përjashtua për disa vjet nga Lidhja për qëndrimin e tij antikonformist ndaj metodave e qëndrimeve jodemokratike që ndiqte Kryesisë e Lidhjes. Në vitet 1946–1950 ushtroi edhe detyrën e deputetit.
Deri në vitin 1992 veprimtaria e tij (monografi, publicistikë, drama, studime dhe kritikë letrare e historike) botohej pjesërisht (kryesisht përkthimet) dhe nuk analizohej nga pikëpamja shkencore. Përktheu mbi tridhjetë kryevepra të letërsisë botërore si “Fausti” nga Goethe, “Gëci i Berlihingenit” nga Goethe, “Fije bari” nga Whitman, “Mbreti Lir” nga Shakespeare.
Për veprimtarinë e tij të shquar patriotike- antifashiste-demokratike, edukative e letrare është nderuar me urdhrat e lartë: Urdhëri i Flamurit (1960) dhe Nderi i Kombit (1996).
