Thursday, February 5, 2026
BallinaVitrina e libritÇaste poetike me vargjet e poetes Gladiola Jorbus

Çaste poetike me vargjet e poetes Gladiola Jorbus

Kënga e dhembjes

Frymëmarrja e tokave të pushtuara
ngjizet me hirin e hënës.


Lulet çelin mbi pellgje të thëngjillta lotësh.
Shpresat treten në humnerat e kohës,
bashkë me to, dhe gëzimi i së nesërmes.
Historia shkruhet me idealin e të shtypurve,
me vajin e nënave të dëshpëruara,
me gjakun e lutjeve të dëlira.


Kënga e dhembjes thuret nga tingujt e eshtrave.
Ëndrrat priten me gërshërët e vdekjes;
të njëjtat gërshërë që kanë të gjithë diktatorët,
të gjithë vampirët e lirisë dhe urryesit e jetës.


Ato mbajnë kutërbimin e Hiroshimës, klithmat e Srebrenicës,
errësirën e Holokaustit, plagët e Ballkanit,
peshën e të gjitha marrëzive të përbindshme…
që nga vëllavrasja e Abelit –
gjer te përpëlitja e një zemre të pafajshme.


Dhe bota i ngjan një varri të hapur,
mbetur në mëshirën e Zotit…

Të gjej ty

Një tingull violine
përqafon universin.


Agimi lind
pas qindra netësh të zeza.
Flladi i mëngjesit
më zbret mbi sy.


Në vorbullën e frymëmarrjeve magjike,
në kthjelltësinë e qiellit,
në stuhitë e detit,
në trandjet e tokës,


në emocionet e ndjenjës,
në puplat e mëndafshta të harabelave,
të gjej ty.


Dashuria ime – një poezi e shkruar
me rrezet e para të diellit.

Në buzëqeshjen e fëmijës

Në natën e shpirtit,
ajri përmbytet në hije dëshpërimi.
Psherëtimat derdhen nga hëna
dhe ngjyejnë portretet e akullta.


Tingujt e përmallshëm, si ortekë dëbore
rrokullisen mbi peizazhet e ëndrrës.
I arratisem mjegullës dimërore,
zgjohem në agime të shkujdesura.


Dhe himnin e jetës e gjej
në buzëqeshjen e fëmijës.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT