RRËNJË FISNIKE NË SHPIRT VËNDLINDJE!
Gjysmë jete në fshat e gjysmë në qytet
Gjysmë jete në Atdhe, gjysmë në kurbet,
Gjinari rrëzë Bukanikut, o vëndlindja ime,
Mbjellë thellë shpirtit, rrënjët tua fisnike.
Në qytet jetoj, vetes time i them fshatare
E vogël kur isha, ndihmoja nënën në arë,
Në një shtëpi të vogël, çati me rriska guri,
Këngët shqip dëgjoja, në radjo “25 vjetori!”
Në shtatë të mbrëmjes, përralla fëmijësh
Në dimër kësaj ore, dijen përmes librash,
Pranverës në livadhe, kur lopët kullosnim,
Atdheut e flamurit, me shoqet i këndonim.
Jam rritur në fshatin tim, malor e të bukur
Aty ku kam lozur, e vogël hidhesha si flutur,
Me karakter delikat, as shakatë s’i kuptoja,
I merrja të vërteta, e zemëruar veç lotoja!
Atje në fshat më duket, sikur dhe sot po jetoj
Kujtimet e asaj kohe në faqet e shpirtit, lexoj,
Eh varfëri e tepruar, më hodhi larg në kurbet,
Vëndlindje rrënjë fisnike, asgjë kurrë s’të tret.
