(Fjalë mortore në varrimin e vajzës së vetme të Azem Bejtë Galicës, Azemines, në Galicë, më 11 gusht 1999)
– E gëzofshi lirinë, o vëllezër!- na the, oj dada Azemine, ditën e parë që zbritëm nga malet.
Dhe, të gjithë u gëzuam. Pinjolli i fundit i familjes që u shkri për lirinë e Kosovës, e kishte mbijetuar llahtarinë. Nuk ishte edhe çudi. Jeta Jote, fund e krye u takonte maleve. Edhe kur erdhe në këtë botë, erdhe në male, në dushqet e Shkozës së Vërbocit. Ishte fundi i korrikut 1924. Babanë nuk e njohe fare, se kur Ti vije në jetë, Ai futej në varrin më të thellë në botë, në Çukun që kërcet për t’u bërë legjendë. Më vonë mësove për të, nga të tjerët. Kudo që shkove të përcolli emri i Tij amanet dhe këngët, që s’i zuri dot shpella.
Kur u bëre shtatë vjeçe erdhe në Galicën e djegur. Rrafsh me tokë e kishin bërë dushmanët e zinj me shpirt piromani. Nuk besoje se kjo e keqe mund të përsëritej ndonjëherë…
Dhe, ditën që u ktheve për të fundit herë, e gjete edhe më zi. E lodhur fare, e mbijetove zezonën dhe e munde mortjen, se doje ta prisje LIRINË. Ajo qe amaneti i pashuar i kryetrimit, të cilën brezat e ruajtën besnikërisht derisa Adem Jashari me bashkëluftëtarë e bëri realitet.
– Edhe të shkatërruar e të bërë hi e pluhur, kur e shoh Galicën time se si më ripërtërihet fuqia,- më the ditën e fundit kur të gjeta të shtrirë në shtrat.
Unë s’thashë gjë, sepse në sytë e tu, të stërlodhur, lexoja shumëçka…
– Oj dada Azemine, e di se si maje thike në zemër të ranë copat e përmendores së babait. Këtë punë të ndyrë nga frika e smira e kanë bërë vandalët e shëmtuar të stepave karpatiane, por kot. Ashtu veçse ia shtuan madhështinë kapedanit të Arbërisë së Vogël. Nesër, populli dhe ata që e sollën lirinë, do t’ia bëjnë edhe më të mirë, edhe më të madhe.
Gëzuar liria dhe me fat ditëlindja e njëqind e dhjetë, o Azem Bejtë Galica!- shungulluan malet përreth…
Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës, dada Azemine!
