E ndeza një puro, ta lashë sipër varrit,
e ndeza dhe një puro, e tymosa për vete,
jam nipi yt Gjysh, djali i djalit,
dhe pse fati s’deshi t’na takonte k’saj jete
gjaku yt më rrjedh rrugëve të damarit,
të pompoj përditë në çdo rrahje zemre;
prej teje e marr nderin e trashëgimtarit,
një krenari fisnikërie e sedre,
të gjitha tiparet e larta të shqiptarit
ti shoh n’atë fotografi mes këmishe e setre.
More pushkën e çlirimtarit,
revolucionarit,
por ti thyen më dysh
ëndrrat e partizanit që pas luftës, plagës
s’shpirtit të zunë myshk,
munde të paktën ti rrish besës së fjalës!…
S’jam si ndonjë k’lysh
që rend pas imazhit të Çe Guevarës,
unë pas teje o Gjysh
rend si nip i devotshëm, pas Babës së Babës,
gaca puron ma çndryshk
kur jotja përfiket fijes së hollë të tymnajës.
Gjysh!…
Hajde nga një puro ta pimë
para se Halla të na ndërpresë,
para se flakët e qiririt të shkrinë,
para se bija jote të plasë dënesë
teksa lotët e dhimbjes tënde ti vinë.
-A e di prej saj çfarë ruaj në kujtesë?!…
“I shami të shan!” mbase prej teje filozofinë
e ka ruajtur e ma ka kaluar si mbresë.
O Gjysh, ta vranë Bardhok Bibën e Prena Ukën,
ta vranë Kapedanin, Burrneshë Mësuesen,
ti dhjenë plumbat, ta dhjenë luftën!…
Sistemi të dhjeu mbi gjakun e pushkën,
të kërkoi ta ndash Princeshë nusen
se Luftës së Klasës n’Kulakëri ta futën,
por mendjen dot nuk ta mbushën
sado që u përpoqën e u përpushën,
të ofruan “Sekretar Partie”, kalin e mushkën,
por Ti s’pranove ta kërceje “Katjushkën”,
u tërhoqe në zgavrën tënde,
ruajte gëmushën,
sistemet shkojnë e vinë,
Dijetarët s’gërmuqen.
Para teje tymos djali i djalit, nipi,
të thotë se Princesha ta nderoi emrin,
shtatë fëmijë pa ty e vetme i rriti,
ta ruajti respektin që i dhe e nderin,
mos kujto se të martohej me tjetër s’diti
por kultura e traditës së Familjes elterin
s’ia la që në duar të tjera të ta koritin.
Sot e pashë Kapedanen e Dukagjinit
ta kthente një gotë raki, një birrë, e një “venë”,
prej saj e ruaj gjakun e princit
në të njëjtit kapilarë e venë
ku zemra ime i shtyn pompimit:
-Doket e vjetra, dashurinë për të renë!
-Përplasjet në mes të përcëllimit!
-Ku ta fus llogjikën, gjetjen, idenë?!…
-Ku ti fus ligjet e arsyetimit?!…
-Ku ta fus atë parim mbi të parimit?!…
-Cila rreze shkëlqen mbi renë?!…
-Çfarë o Gjysh peshës së ligjësimit
prevalon mbi çdo sistem, e mbi fenë?!…
Ti si gjithmonë më rri në heshtje!…
“Ndue Dedaj: -Mbiemri më i rëndë se emri”,
cigaret shkurtohen gjer në reshkje…
“Andej nga vimë dhe do të vemi!”
-A kemi të drejtë që si nipër ta themi?!…
Ta ruajmë në qëndrime e në çehre?!…
Se fundja, nipërit e tu përjetë do të jemi,
në çdo vuajtje, e në çdo buzëqeshje.
Siç thotë Babai im, e djali yt,
“Tu u mbajtë me shpenë n’ujë!”
që dhe kur ta kesh këmbën në fyt
të dish të qëndrosh, e “me ditë me vuj”
pa u fundosur e pa u përmbytë,
pa u zhytur në një pellg të hu’j,
pa e mbyllur mendjen e sytë,
siç thotë Xhaxhai “Mos e rruj…”,
Gjysh, dhe kur i fundosur gjer në grykë,
mendoj për emrin tim në shekuj, jo në mu’j.
Princesha kutinë metalike të duhanit
ma dha kur i bëra 16 vjeç,
ta ruaj si besimtari faqet e Biblës-Kuranit,
si një gur të stërçmuar, qoftë guralec,
ajo kuti është pjesë e imja e thesarit
që drejt teje përjetë më tërheq:
Shkronjat shqipe me thëngjijtë e zjarrit
mbi dërrasën lyer gëlqere shkruaje me të zezë,
një student i yti “Nxans i Shkollarit!”
më tha se Ti “Haje bukë veç!”,
një tjetër na tha se cigaren e bujarit
e zgjasje i pari, (si një Princ kryeneç)
këtë zakon të vjetër mia thanë Vëllait
e atij iu kujtova unë. -Për dreq!…
E çuditshme si gjenet tejçohen tek djali i djalit!…
Në gjithë ç’di për ty, asnjë fjalë dot s’ta heq.
Dhe nëse luftës s’ma japin Medaljen e Luftëtarit,
jetës do çaj përpara, do vrapoj, zvarritem, do ec,
parimet e tua i ruaj porsi sytë e ballit,
më mirë vdes si Shqiponjë
sesa jetoj si buburrec,
njerëzit të njohin, t’kujtojnë
“Mos u mbaj mend për keq!…
”
O Gjyshi im,
më ecën biseda me të vdekur,
me ata në amshim,
me Papë Benediktin e dorëhequr,
me një Rugovë-Ibrahim;
Gjeneralë e Profesorë përshëndetur
e më dhanë dhe çmim.
Por me ty në këtë bisedë të heshtur
s’dua medalje, as botim,
dua që veç vargjet duke rrjedhur
ti lë nëpër shfrim,
e mbase një ditë ka për të mi gjetur
i palinduri Nipi im,
ka për të më kuptuar, njohur, mbështetur
e ruajtur trashëgiminë.