NJË JETË E TËRË..
.
Një lumë i tërë vitesh ka kaluar,
Në një shtrat të panjohur rrodhi për të dy,
Fëmijë ishim dhe mbase ,pa kuptuar,
Shoqërisë i dhamë lulëzim të ri.
Pranverat që vinin lulet i ndërruan,
Mbaj mënd,karafilat sa të pëlqenin ty,
Sa shpejt u rritëm, ashtu u ngatërruan,
Shoqëri e shenjtë me flakën dashuri.
Më kujtohet si faqet rrëmbenin flakën,
Pa edhe balli të ngjyrosej si ylber,
Vitet na ngarkuan hallet që na plakën,
Po na i rrëmbyen harresën e mjerë.
I kthjellët qenka lumi dhe pas kaq vitesh,
Kristal,si ndjenja që nuk e thamë kurrë,
Atje ku buron,nektaruar prej mitesh,
Rrjedh duke argjenduar drurë dhe gurë
.
Atë buzëqeshje koha s’ma fshehu dot,
As zërin tënd si flladitje e valëve,
Edhe pse ndjenjat ngatërruam fare kot,
Dhe pse lirinë u mohuam fjalëve.
Ishte zjarr i dobët ,pa dhe vatra e re,,
E mori për vete,u tha me atë zjarr,
Po pse pas dhjetra vitesh, u rindez për ne,
Shkëndia e flakëzës tonë të parë?
Ashtu si nga ëndra e gjatë kur zgjohesh,
S’të pëlqen të besosh se ëndër ajo qe
Pa,si i marrë gëzohesh e trishtohesh,
Po, po…Kështu po ndodh tani edhe me ne!
Një jetë e tërë për ne ka kaluar,
Kemi takuar dhe të tjera dashuri,
Po pse tani,si diell i perënduar,
Shpirtin dhe zemrën na përpush ky mall i ri?
Fort po troket pafajësia e verbër,
Unë i ziu çtë bëj,derën t’ia hap?
Paska mbetur pemë kaq vite e gjelbër…
Pa ashtu, e gjelbër, le të mbetet prapë.
