Carlo Ancelotti nuk e ka ndërmend të largohet nga Real Madrid, vetëm nëse ”e nxjerrin jashtë” drejtuesit e klubit. Ai është shprehur i bindur se do të qëndrojë te ‘Los Blancos’, transmeton Gazeta Metro.
Mbrëmë tekniku italian fitoi trofeun e nëntë me ‘Madrilenët’, të cilët e mposhtën me rezultat 5-3 skuadrën arabe, Al-Hilal në finalen e Botërorit të klubeve.
Ancelotti nuk e fshehu aspak kënaqësinë për titullin e fituar, duke paralajmëruar kundërshtarët se do të luftojnë deri në fund për secilën garë këtë sezon.
”Ne po përmirësohemi dhe ky titull do të na japë një shtysë për të luftuar për gjithçka që ka mbetur, gjë që do ta bëjmë. Shumë lojtarë si Benzema po kthehen, Militao gjithashtu, të gjithë po përmirësohen, megjithëse ka pasur disa gabime,” tha ai.
63-vjeçari foli edhe rreth krahasimit mes Real Madridit që po udhëheq dhe Milanit të dikurshëm. Ai nuk la pa përmendur dy figurat e mëdha të këtyre dy skuadrave, Silvio Berlusconi dhe Florentino Perez.
”Dy familje, të menaxhuara shumë mirë. Berlusconi dhe Florentino janë dy tifozë të shkëlqyer që shkojnë shumë mirë me klubet. Ne jemi të kënaqur që jemi pjesë e historisë së Real Madrid. Ndërkaq, unë nuk do të largohem nga këtu derisa të më nxjerrin jashtë,” tha ai.
‘Los Blancos’ do t’i zhvillojnë edhe dy ndeshje në La Liga (Elche, Osasuna) para duelit të shumëpritur në Ligën e Kampionëve kundër Liverpool.