NJË KUVENDIM ME SALIH ÇEKAJN
Më thotë zemra të bëj vjershë
Ngrehinë vargjesh që ngjajnë si ti,
Si të kthehem në atë vjeshtë
Kur të njoha ty Salih?!
Si të kthehem i mërzitur
Përmes gjethesh rënë për toke,
Ku ta dija se jam ngjitur
Krah njeriut, prijës epoke.
Ti nuk dole nga legjenda
Si thonë këngët popullore;
Ti lirinë e kishe brenda –
Si flamur një ditë e nxore.
Ty flamuri po të çonte
Për ta shkulë atë gur të rëndë,
Zemra e kombit ku kullonte –
Njëqind vjet me qindra gjëmë.
Më thotë zemra të bëj vjershë
Ta zbus mallin e zhuritur,
Mbi kujtime më del kreshtë-
Salih Çekaj ballëndritur.
Sa më larg po mbetet lufta
Sa ka vjersha më bukuri?!
Unë tash vjeshtës thellë u futa
Ti n’pranverë mbete i ri.
