Saturday, December 27, 2025
BallinaVitrina e libritZymer Mehani-KUR VRITESHIN FËMIJËT(Fragment nga romani im "Fanarët e një shtrëngate", SHB...

Zymer Mehani-KUR VRITESHIN FËMIJËT(Fragment nga romani im “Fanarët e një shtrëngate”, SHB SHKROLA, Prishtinë, 2021)

KUR VRITESHIN FËMIJËT

(Fragment nga romani im “Fanarët e një shtrëngate”, SHB SHKROLA, Prishtinë, 2021)

Nga pjesa e fundit e muajit prill 1999, u zhvilluan luftime të rrepta, pasi që forcat policore dhe ushtarake serbe kishin marrë ofensivë prej disa ditësh mbi pozicionet tona, në pjesën perëndimore të Llapit.

Ata bombardonin me artileri të ndryshme, prej minahedhësve të kalibrave 80 mm e 120 mm e deri te raketat më të mëdha që posedonin. Në shënjestër të tyre nuk ishin vetëm pozicionet e UÇK-së, por edhe ato pika ku ishte e strehuar popullsia civile.

Njësia “Ulpiana—36” ishte e pozicionuar në lagjen e Spahinjve në Bardhaj.

Lis Bajgorën edhe sot e trishton skena e asaj dite, kur e shihte si largohej popullsia civile, që duhej të kalonte nëpër granata për t’u shtrehuar në pjesë më të sigurta.

—Para sysh e kam një nënë nga fshati Gegaj, që e kishte marrë para duarsh djalin e saj rreth 9 vjeç, i cili ishte plagosur nga granatimet e forcave ushtarake serbe,— tha ai.— Duart e saj ishin të përlyera me gjakun e fëmijës. Pasi e vërejtëm, vrapuam t’i ofronim ndihmë. Shihej fare qartë se fëmija ishte plagosur në pjesën e stomakut.

Vallë i kujt do të ketë qenë ai fëmijë?

—Dikush nga të zhvendosurit kishte treguar se ishte çuni i Lirimit, i cili ishte plagosur në malet e fshatit Gegaj nga shpërthimi i një granate të minahedhësit nga forcat ushtarake serbe, —tha Front Llapi.

Atij fëmije, i cili ishte i plagosur rëndë, ndihma e parë iu dha në spitalin ushtarak të UÇK-së, në Lamaj.

Nëna me fëmijën e plagosur para duarsh foli plot dhembje:

—Edhe pak, nënës se arritëm! —i dha ajo kurajo të birit.

Me t’u afruar pranë spitalit ushtarak, nga brenda dëgjoheshin pëshpëritje të lehta dhe gulçime të dobëta; një erë e ftohtë të merrte frymën.

Aty, brenda në një sallë të improvizuar nëna e vendosi fëmijën e plagosur, pranë një ushtari të plagosur, i cili fliste përçart nga temperatura e lartë.

Pas ca çastesh ia behu Furtuna Forta.

—Merreni më parë djalin tim! —iu lut gruaja Furtunës. —Më duket se ky po vdes…

Bobo, shpirti i nënës… biri im… zemra ime… shpirti i jetës sime…

Furtuna e mori para duarsh çunin e vogël, të cilit i tundej koka e vogël si t’ishte duke dremitur. Rrobat e tij ishin të gjakosura.

—Vogëlushit do t’i bëjmë një gjilpërë për ta qetësuar paksa, — tha ajo.

Nëna e fëmijës së plagosur, ia mori dorën Furtunës dhe i tha:

—Vetëm ky më ka mbetur. E dua si dritën e syve. Të tjerët nuk e di se ku ndodhen… Ti më kupton, moj bijë… Është fruti i fundit i pemës. Kështu, dru i vjetër siç jam, nuk mund të jap më kokrra… Ti më kupton, bija ime, —përfundoi nëna e shkretë, me dorën e Furtuna Fortës shtrënguar.

—Të kuptoj, nëno! Djali yt do të rritet dhe do ta gëzojë lirinë, —e qetësoi Furtuna nënën e brengosur.

Ajo u largua duke i buzëqeshur nënës dhe fëmijës së plagosur e ia mbajti nga krahu tjetër dhe u fut në një sallë me dimensione më të vogla, ku mbretëronte një atmosferë e pazakontë.

Edhe pse ishte behar, fëmija i plagosur qante duke thënë se kishte të ftohtë, prandaj edhe dridhej, sigurisht edhe nga gjakderdhja e madhe që kishte pësuar.

Doktor Bardhi ishte mësuar me këso situatash të papritura. Ai u afrua te fëmija i plagosur dhe e preku lehtë, ia kontrolloi pulsin, pastaj ia mbylli me gishta sytë dhe tha:

—Pushoi!…

Mjekët Shpëtim Mesiana, doktori i kirurgjisë Bardhi dhe infermierja Furtuna Forta bënë të pamundurën për ta shpërtuar atë fëmijë, por ai gjatë natës vdiq, duke u shndërruar në engjëll.

Të nesërmen fëmija u varros nga prindërit e tij në malet e Lamajt.

Kjo ngjarje ishte një përjetim dhe një skenë shumë e dhimbshme për të gjithë.

—Trishtueshëm, prore po më del para sysh ajo fytyrë e fëmijës! Nuk kam parë fëmijë më të hijshëm deri tani,—tha Lis Bajgora i kapluar nga dhimbja.

Edhe një ditë më herët, në spitalin ushtarak në Lamaj ishte sjellë një vogëlush i plagosur rëndë nga bombardimet e ushtrisë serbe. Ai ishte nga Krasniqja e Vicianit. Por me të arritur në oborrin e spitalit ushtarak të UÇK-së kishte vdekur.

Muaji prill 1999 kishte filluar me vrasjen e fëmijëve nga dora gjakatare e ushtrisë serbe në fshatin Kështjellas, ku në ditën e katërt të muajit, aviacioni i ushtrisë serbe kishte bombarduar shtëpitë e fshatarëve, që ishin plot me banorë të zhvendosur. Aty kishin mbetur të vrarë 11 veta, kryesisht fëmijë, gra dhe pleq, si dhe dhjetëra të tjerë të plagosur.

—Janë këto momente të trishtuara për të gjithë ne, sepse po vriten fëmijët tanë,— tha Lis Bajgora.

***

—Motër… motër! —po thërriste një ushtar i plagosur.

—Urdhëro! —u përgjigj Furtuna Forta, duke qëndruar pranë tij.

Ishte ky ushtar Kastriot Kastrati, fytyrërrumbullakët, me flokë të qethur shkurt, me gojë në formë hënëze, e me cepat që i vareshin poshtë.

—A do t’më lironi meqë ndjehem shumë mirë?! —i tha infermieres ai.

—Jo, jo, edhe 3-4 ditë, ti do të pushosh, pastaj do të ikësh, atje te shokët tuaj luftëtarë për të vazhduar detyrën ndaj atdheut! —e këshilloi butësisht usharin e ri Furtuna Forta

—Do të bëj ashtu siç më këshilloni ju, motër! —i tha ai Furtunës.

—Ju faleminderit që më bindeni! —u shpreh me mirësjellje Furtuna Forta ndaj ushtarit të plagosur.

***

Është muaji maj 1999. Gjithçka po lulëzon. Togu i Dytë është vendosur te Kroi i Ftohtë, një lagje e fshatit Shegë, në shtëpinë e Ylberit, një burrë bujar i asaj ane. Por rezervat me miell sa kalon koha po pakësohen, e për t’u furnizuar me ushqime duhet të depërtojmë në vendbanimet e braktisura të popullsisë shqiptare, që ka ikur për t’iu shpëtuar represaljeve të armikut, duke lënë pasuritë dhe shtëpitë e veta.

Për furnizim me miell e ushqime të tjera duhet rrezikuar për t’u futur mes për mes forcave serbe, që janë të pozicionuara nëpër shtëpitë e fshatarëve, edhe pse ata bëjnë prita duke pamundësuar furnizimin me ushqim.

Luftëtarët më të sigurtë Front Llapi i dërgonte në treshe për t’u afruar ngadalë deri te fshatrat për ushqim.

—Si fshat më të afërt e kemi Sukoren,—foli ushtar Shpendi.— Meqë unë, Behari dhe Guximi jemi nga ai vend dhe e dimë çdo skutë, rrugicë e shteg, te togkomandant Fronti do të paraqitemi vullnetarë për të shkuar në lagjen tonë, në shtëpitë tona për të marrë miell, kripë, vaj e gjëra të tjera ushqimore, — tha ai.

Ashtu edhe u vendos.

Ata u nisën nga fshati Kështjellas për të dalë në Kodriçe e në maje të Sukës. Pastaj vazhduan tatëpjetë kah Kodra e Dëllinjave e te Lisi me Zgërbonjë, te Laku i Hajdukut. Mandej u drejtuan kah Lugu i Harabelave, te Dardha e Brahimit, drejt Shtegut të Asqerit, në Kodrën e Kecave.

Tërë rrugën e bënë duke ecur në distancë 1,5 m., larg njëri- tjetrit derisa arritën në maje të Kodriçes së Bilbilave, pak para se të errësohej.

Prej aty e shihnin si në pëllëmbë të dorës krejt Rrezarën. Aty vëzhguan deri sa ra terri i parë. Me vete kishin një snajperkë dhe dy pushkë automatike.

Forcat ushtarake serbe ishin vendosur në lagjet e fshatit dhe shiheshin fare mirë.

Pasi nata shtriu krahët e saj dhe u terrua, treshja hyri në lagje, të cilën forcat ushtarake serbe e kishin djegur të tërën. Kishte mbetur një garazh i padjegur dhe hambari, që ishte granatuar dhe ishte bërë copë-copë.

Aty gjetën një karrocë të dorës. Pastaj në shtëpi të Guximit gjetën tre thasë me miell, rreth 150 kg., që e ngarkuan në atë karrocë. Pa dalë mirë nga aty, treshen e vërejtën forcat ushtarake serbe dhe filluan të gjuajnë drejt tyre me rafale për disa minuta. Treshja zuri pozicionet dhe u kundërpërgjigj me një rafal, derisa u sigurua duke u tërhequr pas shtëpive të tjera. Misioni i saj ishte të merrnin miellin dhe të tërhiqeshin.

Karrocën e dorës, të ngarkuar me miell luftëtarët e mbanin afër. Pasi që u qetësua gjendja dhe u ndalën gjuajtjet nga armët e zjarrit, ata vazhduan të ecnin në drejtim më të sigurt…

Pasi e kaluan Bahaçen e Elezit, dolën te Shavaret dhe në njëfarë forme u lehtësuan se e kaluan rrezikun.

Atë natë luftëtarët vazhduan shtegtimin e tyre rreth 5 kilometra, të ngarkuar me rreth 150 kg. miell, duke kaluar kah Shavaret e te Thepi i Keq, nëpër Kosovis, te Rrashta e Buallit e deri te Laku i Hajdukut, në Mal të Skiles.

Pasi qenë lodhur goxha shumë, natën e kishin kaluar përjashta, në Kodrën e Dëllinjave, në një rimorkio të improvizuar me mbulojë prej plastmase, të braktisur nga ndonjë fshatar.

—Të nesërmen, ne u zgjuam herët, por ndjenim dhimbje te muskujve, pasi ishim djersitur gjatë bartjes së miellit dhe kishim fjetur jashtë. U rinisëm disi, vazhduam edhe pak me ngarkesën e miellit. Por, meqë terreni ishte i vështirë dhe konfiguracioni shumë i thepisur, nuk mundem ta marrim me vete tërë miellin, por e fshehëm në një vend. Vazhduam deri te Kodra e Kuqe e te Qafa e Divave, ku e takuam komandant Kreshnikun, i cili po vinte me disa ushtarë të tjerë në drejtimin tonë. U përqafuam me ta, sepse kishin marrë dezinformata se gjoja ne kishim rënë në pritë të forcave serbe e kishim mbetur të vrarë, — vazhdon të tregojë luftëtar Guximi.

—Tërë miellin e tërhoqëm, duke e siguruar bukën për një kohë relativisht të gjatë, — thotë ai.

Ata kishim rrezikuar për të siguruar ushqim…

Të tretë ishin 17-18 vjeç.

Mund të jetë një imazh i 1 person
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT

Albina Trebicka-TE KAM…

Maxhun Osmanaj -FATI