KËSHTJELLA QË S´PO NDËRTOHET
Çdo natë
dora e errësirës
prish
bedenat e Rozafës.
Edhe këtë natë
grumbull gurësh
u rrokullisën
teposhtë fatit tonë.
Zot
ndihmo ndërtimin
e Kështjellës sonë,
lutet plaku.
Flijime
flijime
flijime.
Qumështi
i fjalës së dhënë
po rrjedh
shtratit të lotit
n´bebëzat e fëmijës.
Dora e natës
ngrit mure
shemb mure
n´themelet e Kështjellës sonë.
Ne ende nuk u mësuam
si t´ia vëmë kulmin
që t´mos pikojnë
rigat e natës
n´fatin tonë.
