Kombëtarja e Kosovës në futboll ishte treguar sensacionale në vitet e para pas pranimit në UEFA e në FIFA.
“Dardanët” ishin entuziastë dhe e linin shpirtin në fushë, duke i mahnitur të gjithë më paraqitjet e tyre të asaj kohe.

Madje, Kosova nga shumëkush në atë kohë konsiderohej si një Brazil i Ballkanit, shkruan “Gazeta Express”.
Por, ky epitet me kalimin e kohës filloi të zbehej dhe më pas edhe të zhdukej.
Nga një mini-Brazil, Kombëtarja e Kosovës e preku fundin.
Dardanët po luajnë pa motiv, pa ide, pa zemër dhe duken si të jenë të harxhuar dhe të keqmenaxhuar në fushën e blertë.
Kulmi i teposhtëzes arriti mbrëmë, kur “Dardanët” pësuan humbje nga një Kombëtare që s’e ka mendjen aspak tek futbolli – nga Bjellorusia.
E gjendur pranë përjashtimit bashkë me Rusinë nga UEFA, Bjellorusia krejt fokusin e ka në luftën mes Ukrainës dhe Rusisë dhe kundër Perëndimit, shkruan “Gazeta Express”.

Madje, bjellorusët s’ia kishin ndier aromën fitores qe më shumë se dy vjet, më saktësisht që nga 27 marsi 2021, kur e kishin mundur Estoninë.
Por, ata e gjetën Kosovën “të plagosur” dhe ia dhanë edhe shqelmin e fundit duke e mundur mbrëmë me rezultat 2:1, në ndeshjen e zhvilluar në Budapest të Hungarisë.
Me këtë rast, ia shuan edhe shpresat e pakta që i kishte ekipi dardan për ta siguruar kualifikimin historik në Kampionat Evropian.
Kur u hodh shorti për eliminatoret e Evropianit, Kosova llogariste që do të merrte pikë të plota në përballjet e dyfishta me Andorrën dhe me Bjellorusinë dhe që do t’i linte ato përfundi në tabelë, shkruan “Gazeta Express”.
Por, këto dy Kombëtare ia mohuan 5 pikë ekipit të Alain Giresset të larguar, vetëm në duelet e para, ndonëse Kosova ka lojtarë të mëdhenj të kalibrit të Rrahmanit, Muriqit, Rashicës, Zhegrovës e të tjerë.
Kosova e sheh veten në vendin e parafundit në grup pas katër ndeshjesh të zhvilluara, në të cilat s’e ka arritur asnjë fitore.
Kosova me këtë rast e kaloi ndeshjen e gjashtë radhazi pa fitore, duke i regjistruar 5 barazime dhe 1 humbje.
Përpos trajnerit francez, një pjesë e madhe e fajit për këtë gjendje të Kombëtares po i hidhet edhe Federatës së Futbollit.
Madje, shtëpia e futbollit kosovar është vërshuar nga komentet në postimin e saj për lojën me bjellorusët, shkruan “Gazeta Express”.