Kombëtarja e Kosovës ka pësuar rënie në renditjen botërore të FIFA-s, duke humbur dy pozita krahasuar me përditësimin e kaluar.
Sipas renditje së re, Dardanët tani pozicionohen në vendin e 78-të në ranglistën e përfaqësueseve, me gjithsej 1322.10 pikë.
Kjo rënie vjen pas rezultateve të fundit të përfaqësueses së Kosovës në Ligën e Kombeve, ku skuadra e drejtuar nga Franco Foda nuk arriti të sigurojë rezultate pozitive në përballjet e fundit.
Humbja 3:0 në udhëtim ndaj Republikës së Irlandës ishte rezultati që e përmbylli këtë cikël për “Dardanët”, pas barazimit pa gola ndaj Izraelit.
Në Dublin, Kosova u përball me vështirësi të mëdha, veçanërisht pas minutës së 26-të, kur Kreshnik Hajrizi u ndëshkua me karton të kuq për prekje të topit me dorë në vijën e portës. Nga penalltia e akorduar, Troy Parrott kaloi irlandezët në epërsi, ndërsa i njëjti futbollist shënoi edhe në fillim të pjesës së dytë. Jack Moylan vulosi rezultatin përfundimtar 3:0.
Megjithatë, kjo nuk e zbeh progresin e arritur nga Kosova gjatë viteve të fundit. Në tetor, përfaqësuesja kishte regjistruar renditjen më të mirë në historinë e saj, duke u ngjitur në pozitën e 76-të në ranglistën e FIFA-s.
Tashmë, synimi i skuadrës së Franco Fodës do të jetë rikthimi te rezultatet pozitive dhe përmirësimi i pozitës në renditjen botërore në përditësimet e ardhshme.
