Jemi një frymëmarrje larg ,
fjalët rrotullohen në boshtin e boshësisë,
mendimet era i sjell vërdallë
Nuk di a vijnë deri tek ti?
Varkës së kohës i ngarkova mallin e lidhur me litarët të bërë gonxhe,
Se dreqi ta hajë dhe pritja e ka një kufi,
Ndaj prej vetes e largova sonte
I padurueshëm ishte bërë..
Më shponte pa mëshirë lëkurën
si një gjilpërë.
Eh,ku ta dish ti !
Po veç një lutje përshpirtet në flakën
që ndez shpresën ,
brenda ekranit të syve të mi
Të më dërgosh në ballkonin e zemrës të gjitha përqafimet e munguara.
Ngarkoji në flatrat e erës,
në krahët e degëve të pyllit ,
kur prej diellit rreze rrëmbejnë,
në karvanin e reve puplore,
që shtegtojnë drejt folesë sime.
E nëse ato të refuzojnë,
bëhu erë, diell , re ose maratonomak,
Se saga e pritjeve mbaroi
Dhe brenda syve ,
Troja digjet në flakë.
