KRENARI, TROPOJË KRESHNIKE
Prej malsisë së mirë, n’ maje Shkëlzeni,
Amaneti i të parëve m’thirri me ardhë.
Bèlbëzim shpirti n’vargje poeti,
Tropoja m’vjen sa herë kam mallë.
Jehona e bjeshkêve më therret,
Valbona simfonia e Tetë Mrekullive.
Maja e Hekurave me za pisket,
Ku i kam bijtë e bijat e këtyre fiseve?!
Drini i bardhë, brigjeve shtegëtue,
Bijë dardane nji kang me ma k’nue
Me veti ma merre atë sharki,
Kangëro, çiko për këtë malsi.
Rudinave me lule, plot hijeshi,
K’cejnë valle, çikat e djemtë e ri.
Atje, mes majash të nalta alpine,
Lind dielli, perëndon mes mrekullive
.
Hana ma mshef synin mes pishnaje.
Natën vonë, ku terri e ka mblue tokën,
Shqiponjat aterojnë nga maja në majë,
Tropojë, nuk të ndërroj me tan botën.
Malsia e Gjakovës, moj kreshnike,
Trima burrështetas në djepa rrite.
Derën hapur e mbajte për miqtë,
Tytën e pushkës gati për armiqtë.
Krenare jam që u rrita në tanin gji,
Beku koftë ujët e krojeve ku kam pi.
Shtatin e rrita si shtojzovalle,
Krenohem që jam çikë Tropojane.
