Për shkak të përkeqësimit të kushteve të motit, Ministria e Brendshme e Shqipërisë ka urdhëruar strukturat e policisë që të marrin masa në akset ku ka probleme për shkak të shiut dhe dëborës. Ministri Taulant Balla thekson se akset më problematike janë zonat malorë në Shkodër, Kukës e Dibër.
Për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike, pjesa më e madhe e vendit, nga mesnata e në vijim, është përfshirë nga reshje të dendura shiu dhe reshje bore në zonat malore.
Ndërkohë që shërbimet e Policisë Rrugore janë në terren, për të kontrolluar rrugët dhe përdorimin e gomave dimërore dhe zinxhirëve të gomave, nga drejtuesit e mjeteve.
Policia Rrugore gjendet në të gjitha rrugët e vendit, për të ndërhyrë në çdo rast nevoje, si dhe apelon për kujdes të shtuar në rrugë, për përdorimin e gomave dimërore dhe të zinxhirëve në zonat ku trashësia e borës është e madhe, transmeton RTSH.
Ndërkaq, Autoriteti Rrugor Shqiptar u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë në veri.
“Në Rajonin Jugor dhe Qendror moti ka qenë i vranët me reshje shiu pa intensitet, pa sjellë probleme në akset rrugore, qarkullimi vijon normalisht. Ndërsa në veri ka pasur reshje dëbore me intensitet, grupet e punës janë në terren me mjete dhe punëtorë për pastrimin e rrugës dhe shpërndarjen e kripës, si në: Kukës-Krumë dhe Kukës-Ura e Zapotit, në segmentin rrugor Dushaj-Sheshi i Trageteve-Lekbibaj në lartësinë mbi 700m, në Qafë Thore, në Vau i Dejes-Pukë-Kukës, Fushë Arrëz-Qafë Mali-Kukës, Bajram Curri-Valbonë, Ura Bujan-Qafë Morinë-Tropojë-Shipshan-Sopot-Kërrnaje, Bajram Curri-Fierzë.
