Jam pranë teje e vogla ime.
Të përqafoj, e ti m’përkëdhelesh nën gushë si kotele.
U marr erë flokëve të gjatë që farfurijnë.
Të puth sytë,
Eh, ata sy!
Ata sy, që sfidojnë ndriçimin e Brooklin.
Sa gishtat e dorës,
Janë në hartë 7501 kilometra nga Tirana.
Edhe më pak, 6960 kilometra tek gjysma tjetër në Itali.
Kalëroj me erën,
Rrahjet shtohen, fryma mpaket,
Eh, sikur të mundesha!
Distancat t’i shndërroja në oferta,
Tre në nji!
Ritmet e zemrës, luftojnë me forcën e gravitetit,
Orët më ngatërrohen keqas, në përgjumje e në zgjim.
Eh, dashuri, tallaz oqeanesh!
Labirinth distancash ky shpirti im.
Gradaçelat me ndriçim marramendës shpojnë qiellin.
E s’dalloj dot në është lindje a perëndim.
Më shkund nga përhumbja e m’kujton se ka kaluar mesnata,
Shkëlqimi fosforeshent i hënës në Brooklin.
Me dorën mbi zemër,
I përgjërohem hënës së plotë.
Shkurtoji distancat!
Mbaji në gji dashuritë e shpirtit tim!