Thursday, January 22, 2026
BallinaVitrina e libritRiza Braholli Mborja-Ju kam dashur të gjithave

Riza Braholli Mborja-Ju kam dashur të gjithave

Ju kam dashur të gjithave, shoqe e mikesha
Dhe s’dita dot kurrë kë desha më shumë
Tashti që në zemër ka hyrë e fle heshtja
Mbyll sytë e u sjell ndër mend nëpër gjumë


Ashtu, bukuroshe, siç ishit një kohë
Çapkëne, të gjalla dhe deri në çmendje
Kur netësh ia behnit me zjarret e moshës
E flatra më jepnin të bukurat dhembje


Njëlloj u kam dashur, moj u betohem
Ç’kërkoni, qafime t’u jap si atëherë
Të bëhem i prapë si dikur ato mote
Të nisem mes resh, mes yjsh si njëherë?


Më mirë se ju e kush e di tjetër
Me gishta mbi xhama më keni trokitur
E gjumin ma merrnit me copzën e letrës
Që doras ma shtinit si Kupidi papritur.


Më ndoqët ngado moj, më mbushët me etje
Me etje e uri si Sizifin e gjorë
U ngjita në male ku dielli sa shkrepte
Ta kapja, ta merrja, ta mbaja në dorë.


U desha të gjithave e më mbeti veç një
Stolisur me ar e gjerdan metaforash
As ditë e as netë s’më ndahet, s’më lë
Me vargje më lidh, më ngre kurthe zotash


Të gjithave u desha, të gjithave u dua
por fundi më la veç vargjet në duar

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT