DIALOG PËR SHIUN
Po bie shi, tha ai dhe sytë e përndritur
i ngriti drejt qiellit, pêrtej resë së errët.
Sa bukur, thashë unë.
Sa mirë, tha ai…
Pastaj zgjati duart jashtë dritares dhe e preku.
A e di pse lumturohem kur bie shi ?
Unë i kisha harruar fjalët si një nxënëse e keqe.
Ndërsa ai heshtjen time
e tërhoqi si një fije të padukshme drejt vetes
dhe foli si një djalosh èndërrimtar,
tashmë më tepër se i lumtur.
Shiu është dashuri,
është kënga dhe fryma e tokës ,
është e gjelbërta e bimëve nëpër damarë,
është jetë për pemët, për lulet që do ti,
është paqja mbi degët e ullinjve blerosh
Ullinjtë zgjohen, përtërihen, mbushen me lëng të florinjtë dhe këndojnë.
Edhe këto po ashtu … ,
dhe shtrëngoi mes duarsh dy kokrra arrë .
I përpoqi fort e pasi ndjeu përplasjen dhe krisjen e lëvozhgave ,
filloi ta çlironte frutin e arrës prej tyre.
Pastaj me një kujdesje të përkorë
ma vendosi butësisht arrën e pjekur
brenda folezës së duarve.
Unë buzëqesha !
A e kupton tani pse lumturohem sa herë bie shi?!…
