GOTË E THYER
Evoluojnë epshet në gotën e dehjes
E llavë përvëluese derdhet nga gota
Mendja e shtrirë n’morgun e prehjes
Së paku n’këtë çast e tija është bota.
Shishja e gjysëmzbrazur e sfidonte
Duke e shikuar disi me bisht të syrit
Në qetësi të saj n’heshtje e bekonte
E pagëzonte në emër të atit e të birit.
Llava nga shishja rrjedh pa ngurrim
Në fillim furishëm e më pas ngadalë
Emocionet rrufeshëm krijonin tërbim
Dhe lëviznin ethshëm si deti me valë.
Po syri i etshëm lehtë nuk plotësohet
Sodit horizontin në çdo këndvështrim
S’don t’ia din fare gjersa t’përvëlohet
Nga llavë e zjarrtë me atë kundërmim!
Dhe krejt në fund të betejës dorëzohen
Shishja hudh tapën mbi llavën e zjarrtë
Gota e thyer n’mes gishtash kryqëzohet
Dhe shlyhen mëkatet e stinës së “artë”!