U ngrita më këmbë,
për t’u shkëputur prej tokës si zog,
më tërhoqi fluturimi,
pikturat mbi re me fytyrë njeriu,
njeriu zot,
Ati dhe i Biri.
U ngrita,
qëndrova fort,
me këmbët në tokë,
i besova vetes dhe eca…
Prita qiellin të më prekte në kokë,
nuk më humbi shpresa…
Por s’u shkëputa dot prej një përqafimi,
më të bukur se fluturimi…
Sazani
Harruar në ujë,
mbetur ndër dallgë,
delikat,
një truall dhé fillikat.
Djep që përkundet,
në dëshira kalimtare
të pafat.
Tokë që vetë flë
e të lë zgjuar,
tokë e premtuar
kur s’e ke,
tokë e bekuar,
në det
një grusht dhé.
Erë je, erë s’je
Erë je, erë s’je, frymë bjeshke në maj, harlisur mbi lule e gjeth,
herë vjen, herë s’vjen, lulja çel mbi gjemb,
bora çel mbi male,
gurra gurin shpërthen, bijë ujëvare…
Erë bjeshke e lindur si frymë,
ndryshon ngjyre e ndryshon pamje,
vjen si thirrje, vjen si britmë mbi bredha e mbi ahe,
nëpër tokë e nëpër qiell, re të bardha sjell,
përkund lulet që çelin ndër livadhe.
Herë vjen, herë s’vjen,
ndryshon frymë e ndryshon pamje.