Dikush emërtoi një rrugë me dëshirën e tij
pa pyetur për mbledhje e vendime pleqenie,
Me atë emër vjen me shekuj si për çudi
si të kish një emër përkëdhelës fëmije.
Një tjetër emërtoi si deshi një arë
ashtu i ngeli emri gjithë jetën,
Askush se foli keq qoftë dhe një fjalë
me atë emër nga shekujt erdhën.
Dikush ndërtoi një krua të thjeshtë
që rrugëtari të pinte a freskonte ballin,
Një tjetër anës rrugës mbolli një pemë
të pushonin nën hije dhe frutat të hanin.
Të tjerë emërtuan pyje, përrenj e liqene
male, kodra, kala, fshat e qytet,
Ju vunë emra të bukur si të ishin njerëz
dhe kurrë s’menduan tu vënë emrin e vet.
Emërtuan çdo pëllëmbë të vendlindjes time
pothuaj gjithçka sot është një toponim,
Bekuar qoftë në jetë të jetëve
Ai që vendlindjen ma quajti Kurbin.