Nesër është një ditë ndryshe,
sepse nga pikëllimi kam mësuar
të mbledh çdo grimcë shpirti
si farë të shtrenjtë, dhe ta ruaj,
nën petkun e heshtur të kohës.
Mësova të fsheh lumturinë
nën një shkëmb të fortë,
që të mos e gllabërojë furtuna
e netëve që vijnë si hije,
për të mos vdekur edhe ajo,
në përqafimin e një lamtumire të paqartë.
Ditët erdhën si hajdutë,
duke rrëmbyer pjesë nga zemra ime,
duke kërkuar atë grimë lumturie
që ende pulson, e përpëlitet,
në thellësinë e qetë të qenies.
Çdo e djeshme ka marrë me vete
copëza të qiellit tim,
vite që u zhdukën pa zhurmë,
si yje që bien fshehtas,
duke lënë pas boshllëkun e natës.
Kam humbur fytyra,
që ndriçuan rrugën time,
zërat që m’u bënë strehë
kur errësira mbulonte dritën.
Ata zëra guximi, të qetë,
që, si fllad mbi plagët e hapura,
më dhanë forcë të jetoj përtej dhimbjes.
Por, nesër…
E nesërmja nuk vjen si hajdute,
vjen si kujtesë që ringjallet,
si testament i shpirtit tim të lirë,
për të më kujtuar se çdo humbje
mbart një premtim të ri.
Nesër është një ditë ndryshe,
dhe unë jam gati ta përqafoj.
