Më harrove, ashtu si një çantë, në stacion,
Dhe ike pa e kthyer, më kokën nga mbrapa,
Ndërsa era në qiell, retë si dele grumbullon,
Në shpirt unë ndjeja, goditjet e tua me taka…
Me taka po godisje, mbi pllakat në trotuar,
Se era i kish fshirë, të gjitha gjethet e rëna,
Porsi një gjethe, që era, diku e kish harruar,
Po rrëshqiste mbi re, e heshtur gjysëmhëna…
Jo se nuk mundesha, të vrapoja mbas teje,
Por, as ti, s’do të ktheheshe më, sigurisht,
Ndërsa rrëshqiste gjysëmhëna, pas një reje,
Unë po qëndoja i kryqëzuar, si Jezu Krisht…
S’mund të thoshja, asnjë lutje, apo mëshirë,
Se ashtu i kryqëzuar, asgjë s’mund të prisja,
Si qirinjë dukeshin yjet, nëpër qiellin errësirë,
Ndërsa unë, të mendoja ty, se po të humbisja…
Dhe s’doja ta besoja, se do më ndodhte kjo,
Se një ditë unë pa ty, patjetër që do të vdes,
Edhe si një profet i kryqëzuar, sigurisht që jo,
Por i gjallë, si i vdekur, kur të lënë në harresë.