Zot i math e i vërtetë,
Ç’do pun’ e ke bërë vetë;
Bëre qiejtë dhe denë,
Bëre yjtë dhe dhenë,
Bëre diellin’ me dritë,
Bëre nat’ e bëre ditë,
Bëre erënë dhe retë,
Bëre pemëtë me fletë,
Bëre hënëzën me yje,
Bëre fusha, male, pyje,
Bëre zogjtë, që këndojnë,
Dhe lulet që lulezojnë,
Bëre dimër’ e beharë,
Bëre kuaj e gomarë,
Bëre misër edhe grurë,
Po më shumë bëre gurë.
Si bëre kaqë të mira,
Bëre dhe shumë egërsira:
Bëre arinë dhe derrë,
Bëre… po ç’nukë ke bërë?
Bëre dhe djallë me brirë!
Çdo pun’ e ke bërë mirë,
Po një gjë bëre pa mënde,
Dhe prishe punën tënde:
Kur bëre derr’ dhe arinë,
Ç’deshe që bëre Turqinë?
Se të mos qenkej kjo farë,
Bota do të vinte mbarë,
Dhe do të lulëzonte,
Shqipëria do t’gëzonte.
– Andon Zako Çajupi