Një vizitë t’pa zakontë e bëra
Pa menduar, vendosa një ditë
Moti, më interesonin ca gjëra
Edhe, i shkova ferrit në vizitë.
Sa u gëzuan kur aty më panë
Ishin t’mërzitur edhe t’lodhur
Më mirëpritën e ca më shanë
M’pyetën çfarë të ka ndodhur.
S’dija çfarë t’u thoja, heshta
Tmerr, kur sheh të ndryshëm
E disi më ngacmoi kurreshtja
Kur pashë një të pathyeshëm.
Krejt për tjetër e kam njohur
S’besoja se mund t’jetë i keq
I mirë në jetë më është dukur
Po ai njeri më doli krejt dreq.
Dhe diçka më ra shumë në sy
Ishin grumbulluar, s’e kuptova
Gjëra të këqija qëndronin aty
Edhe pafajësinë aty e takova.
Po ti, çka kërkon këtu, e pyeta
Sa m’tregonte, me lot uli tokën
Me fajin, njëherë, tha u kacafyta
Dhe vazhdoi teksa ngriste kokën.
Ore miku im, nuk ka më drejtësi
Ishte njëherë, e humbur që moti
Sot nuk pyet kush, në je pafajësi
Se drejtësinë s’e ka në dorë zoti!