Tuesday, October 14, 2025
BallinaVitrina e libritVasilika Babo-KALIMI I KUFIRIT

Vasilika Babo-KALIMI I KUFIRIT

Në mes të natës yjet mbi kodër ndriçonin….!
Me tim shoq ulur qëndronim pa fjalë.
Brenda meje kumbonte fjala, fëmijët…!
ishte një thikë në një shpirt pa dalë…!

Ai qëndronte kokulur, i heshtur si gjithmonë,
si re e mjegullt mendimesh pa shpresë .
Një degë shkurreje përtypte nëpër dhëmbë,
pas tij qëndroja, si hëna pas resë…

Nuk mund t’i flisja as dhe një fjalë,
pashe krenarinë t’i binte përtokë.
Prej asaj jete, plot nder dhe lavdi,
lirimi ushtarak, ishte një plumb në kokë.

Ai nuk njohu bukurinë e jetës familjare.
Detyra ushtarake për të ishte e vyer.
Vetëm me vdekjen e ndërronte tradhtinë,
njeri i pakorruptuar, i pastër, i pa përlyer.

Deri dje bindi çdo ushtar të mos dezertojë.
Sot për fëmijët, në kufi po shkelte çdo premtim.
Çdo betim, çdo sakrificë, lodhje e përpjekje,
e sotmja për të ishte vetëm një zhgënjim.

Vështirë të pranonte atë fund të papritur,
kur një ushtarak sot do të kalonte kufinë…
Perëndisë në jetë s’e pashë kurrë t’i falej,
dëgjova kur i tha: ”Zot, falmë tradhtinë!”

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT