…Mikja ime të pres, mos merr asgjë me vete, eja të ikim nga kjo botë, që po shëmbet çdo ditë, të shkojmë larg nga këtu.
Të fluturojmë si zogj në hapsirë i pashë dje si erdhën një çift dallëndyshesh, si “guitnit” të dy.
Sa bukur mashkulli i shërbente femrës, duke i rregulluar folenë e tyre të ngrohtë.
Edhe ti eja, të bashkohemi në fluturim dhe të shkojmë ku të dëshirosh ti. Atje të ngrëjmë folenë tonë të dashurisë.
Dua të shikoj sytë e tu, ata sy të më thonë ku të shkojmë lart në qiellin blu, të shkojme sa më larg nga ky vënd që po shkërmoqet çdo ditë e më shumë.
Kjo nuk është pranverë si të tjerat, jashtë natyra qesh dhe brënda nesh ka vetëm dimër, një pranverë e rënduar.
Unë kam nevojë shumë dhe ti e di mirë për kë kam nevoje aq shumë, për ty e dashur mikje ime.
Unë të dua ty shumë, shumë më shumë se jetën time.
Eja të të shtrëngoj në krahët e mi, të bëjmë dashuri ashtu fluturimthi dhe nëpërmjet syve të tu, të mas qiellin e paanë ta fut në kuadratin e syve të tu.
Të puthemi të dy dhe nga lumturia jone të përlotemi të dy.
E di që heziton, e di që ke dilemë, por jo të lutem eja më ndiq do e çaj unë i pari, do të të mbroj nga çdo gjë aty në gjoksin tim të ngrohtë.
…..Mos hezito, eja të shkojmë të dy atje larg ku të jemi vërtet të lirë, në qiellin e pushtuar nga ne të dy zogj të lirë në qiellin tonë blu, ta prekim ta bëjmë tonin dhe atje të ngremë folenë e dashurisë dhe ashtu të jemi tërë jetën të dashuruar. Të pres në fluturimin e lirisë në qiellin blu….