Më mori malli për një melodi
Melodi mali me fëfëllizë ere
Që fshin nga shpirti çdo mërzi
Që freskon si shiu pas reve.
Më mori malli për një melodi tëpini
Kur Nëna zinte djathë në avlli
Më mori malli për një lot gëzimi
Kur babai kthehej vonë në shtëpi.
Më mori malli për “Rilindjen”
Për firmën time në këtë gazetë
Kur shkruaja për jetën me thërrime
Për dimrat tanë të sertë.
Më mori malli për orët e mësimit
Kur zbërthenim ekuacionin e jetës
Kur harroja sëmundjet, vuajtjet, trishtimin
Me nxënës ngjiteshim veç përpjetzës.
Një livadh ëndrrash më diellosi kujtesën
Vargje me çakmak kur shkruaja n’ Petrovë
Selimi kur ma mbante si pip fletën
Jehu i lirisë kur nisi të agojë…