Se di nga vjen kjo erë e çmendur,
Që rend gjithmonë e kërkon shtigje,
Të marrë borën e Golikut,
T’ia hedhë Vjosës nëpër brigje.
Era që fryn në Tepelenë
Dhe ngjitet lart deri te retë,
Që të shpërndajë në malet labe
Një këngë të re për bilbilenjtë.
Gjithmonë kjo erë në udhëtim,
Dhe lajme shkojnë e lajme vijnë,
Se merr fermanët e Aliut,
T’i çojë diku nëpër Janinë.
Se di nga zbret kjo erë e fortë,
Nga honet apo maja mali,
Të marrë gunën e Selamit,
T’ia hedhë mbi krah tek piedestali.
Era që fryn në Tepelenë
Me kujë vrapon e s’kthehet pas,
Të thajë ndonjë rrëkezë gjaku
Mbetur mbi muret e kalasë.
Se di nga vjen kjo erë e çmendur,
Që rend gjithmonë e kërkon shtigje,
Të marri borën e Golikut,
T’ia hedhë Vjosës nëpër brigje.