mjegulla e hirtë
pudros fytyrën e mrrolur të ditës
mbarsur me sahara
toka lyen buzët
me pak baltë që e ka ruajtur në brinjë
nga arka e gjoksit nxjerr çarqafin e tymit
djegur nga prushi i pritjes
shtratit të mallit shtrin trupin
shtrydh qelizat e shpirtit
për pak fara shiu
për pak dashuri
me burrin prej uji
tretur prapa shpinës së diellit
shirat dredhen tjetërkah
duart e erës i lidhin nyje litarët
frymën ua zënë ugarëve prej rëre
me gjak të mpiksur
dikur
qielli nxihet si çadër e rrudhosur konti
sytë e anijeve të reve
verbohen nga dritë e vetëtimës
topat e bubulllimave godasin pa cak
gjithçka pikon boshësi
shi nuk bie
nuk bie
shi
toka dëgjon këngën e tij të shurdhër
me veshë prej dheu të tharë
dhe ngadalë bëhet gati të flejë
zemërçarë
harruar nga lotët e zotit
që nuk pikuan në palcën e balsamosur
gjëma e heshtur e tokës
lag shpirtin e bebes
që nuk e lindi kurrë