Merita Përvetica – Lumley lindi në fshatin Breznicë. Që nga viti 1992 jeton në Angli, ku ka kryer Fakultetin Juridik, studimet pasdiplomike në drejtësi dhe ka magjistruar në psikoterapi. Momentalisht punon si këshilltare në Ministrinë e Komuniteteve dhe të Komunave në Londër. Para se të emigronte, botoi artikuj, tregime e poezi nëpër gazeta e revista kosovare, të cilat u pritën mjaft mirë nga lexuesit e asaj kohe. Është fituese e çmimit të parë për poezi në konkursin gjithëkombëtar “Flaka e Janarit” në Gjilan, 2011
Ky është libri i saj i tretë.
- Portret
Merre një fletore me katrorë
Dhe më vizato mua
Nga maja e kokës
Deri në majë të këmbëve
Për çdo copë timen
Që të ka gënjyer
Zhgënjyer
Që emrin ta ka përlyer
Në portretin tim
Mbi fletoren me katrorë
Ngjyrose
Nga një katror të zi
Për çdo copë timen
Që të ka trokitur në derë
Kur ke pasur nevojë
Që të t’i fshij lotët
Për çdo pjesë timen
Që t’i ka falur gabimet
Që të ka sjellë gëzim e hare
Ngjyrose nga një katror
Me ngjyrë të kuqe
Për çdo ditë
Kur kam menduar për ty
Pa marrë parasysh
A mirë a keq
Ngjyrose nga një katror
Me ngjyrë të kuqe
Shpresoj se një ditë
Telefoni im do të cingërojë
Unë dhe katrorët e mi të kuq
Do të vijmë për kafe
E katrorët e tu e të mi të zi
Do t’i lëmë jashtë
- Malli për dritaren e thyer
Nganjëherë
Më merr malli për kohën
Kur paratë mjaftonin
Vetëm për një gjysmë perde
E kur përmes xhamit pa perde
Rrezet e ngrohta
Na i gudulisnin faqet
Cicërimat
E blegërimat
Përvidheshin brenda
Nëpër dritaren e thyer
E na dehnin
Me shijen e pranverës
E na ndillnin
Në kraharorin e jetës
O Zot!
Sa i urrej këto perde të gjata
Mëngjesin e mbajnë fshehur
Pranverën e mbajnë larg
- Si ta arnoj historinë?
Fituesit
Pushtuesit
Mashtruesit
Na e shkruan historinë
Siç ua deshi qejfi
I prenë damarët Nënë Terezës
E me gjakun e Skënderbeut
Vizatuan kufijtë tanë të rinj
E mjera, unë, e mjera
Çka t’u them fëmijëve
Kur pyesin
Për muzeun e zbrazët
Pa piktura
Pa skulptura të lashta?!
- Testamenti yt
Kur të vdesësh ti
A thua çka do të gjej
Nën jastëkun tënd
Dhembje?
Dashuri?
Frikë?
Vetmi?
Fletët e ditarit tënd
Do t’i shfletoj me kujdes
Me to do të bëj tapeta
Për çdo dhomë
Që të ma ndriçojnë shtëpinë
E të ma përkujtojë
Si kapërcehen lumenjtë pa ura
- Pa ty
Sot nuk po qaj për ty
Po qaj për nipat e mbesat
Që kurrë nuk do t’i njohësh
Për lulet që nuk do t’i shohësh
Për vendin e zbrazët në tavolinë
Për përparësen tënde në kuzhinë
Për telefonin që pluhuri do ta mbulojë
Për hijet e kumbullave ku pa ty më s’shkoj
Për dasmat ku vallja jote mungon
Për muret ku qeshja jote më nuk kumbon
Për rrezet e para të mëngjesit që ti s’i përshëndet
Për dorën e plasaritur që rreth qafe nuk ma qet
Për zërin tënd kur më ngujon nata
Për akulloret nëpër promenada
Për gëzimin tënd në aeroport
Për duart që shtrëngoheshin aq fort
Për pasaportën tënde pa vula, pa kujtime
Për këngët e reja, për festat pa urime
- Përkujtim për babanë tim
Kur të vdesësh
Kur të vijnë
Që të marrin
Për në xhami
Kinse
Të t’i lajnë mëkatet
Trupi yt
Do t’u shkrihet në duar
Do të zbërthehet
Në një milion rreze të arta
Që do ta ndriçojnë dritaren
E çdo fëmije këmbëzbathur
Që ëndërron përtej dhembjes
E përtej xhepave të zbrazët
Trupi yt do të bëhet rreze
Dhe premtim nga Dielli
Që ngroh zemrën e çdo vajze
Të shkelur
Të përbuzur
Trupi yt do të bëhet pishtar
Për çdo njeri
Të etur për dituri
Ti nuk do të vdesësh kurrë
Rrezet nuk shuhen kurrë
- Shteti pa emër
Tërë ditën
E tërë natën
U sorollata nëpër aeroport
Pasaporta e djersitur
Më rrëshqiti nga duart
E ra te këmbët e një polici
“Ku po shkon?” – pyeti ai
Po shkoj në një vend
Ku e shtuna
Nganjëherë vjen pas të martës
E nganjëherë pas të enjtes
Po shkoj në një vend
Ku dielli e hëna martohen
E çdo vit lindin nga një diell e nga një hënë
T’ua ndriçojnë shtigjet
Udhëtarëve të lodhur
Po shkoj në një vend
Ku policët janë poetë
E poetët janë lumenj.
- Lutje
Zoti e bekoftë armikun tim
Furtunën ia bëftë puhi
Përbuzjen ia bëftë dashuri
Zoti e bekoftë armikun tim
Tankun ia bëftë pallat
Minat ia bëftë dukat
Zoti e bekoftë armikun tim
Që unë
Nga urrejtja
Që po ma gërryen shpirtin
Sa më shpejt të gjej shërim, shpëtim