Dielli përqafon ditën dhe detin,
me duart e tij të arta,
mbi dallgët e bardha shtrin gishtërinjtë.
Kjo dashuri , është si malet e larta,
ku bora thith rrezet si fëmija gjinjtë.
Në krahët e valëve,
me mijëra bulëza,
që plasin tek luajnë me fijet e dritës,
si fluturat mbi lule, si puthjet në buzë,
janë ngjyrat e zjarrta e muzgut të ditës.
Horizonti i skuqur si lulëkuqe fushe
zhytet në detin e thellë ngadalë
Qielli me yjet, si gjerdan gushe,
Tek varet mbi secilën valë.
Dielli e përqafon detin blu,
dhe kjo dashuri nuk fshihet dot.
Ditare ku shkruhet janë sytë e tu,
pasqyra çdo pikë me lot.
Dhe Hëna, si e vetmja dëshmitare
e një premtimi të hershëm dashurie,
çdo mbrëmje ndez ca vatra zjarri
ku ngrohen muza poezie…