Liverpool ka realizuar merkaton më të shtrenjtë në historinë e futbollit, duke shpenzuar plot 511 milionë euro vetëm këtë verë. Asnjë klub tjetër nuk kishte kaluar ndonjëherë shifrën gjysmë miliardi euro në një sesion të vetëm transferimesh.
Ky investim kolosal është bërë i mundur falë financave të qëndrueshme të klubit, fitimeve rekord nga Premier League dhe Champions League, kontratës së re me Adidas si sponsor teknik (70 milionë euro në vit), të ardhurave nga biletat e Anfield dhe të drejtat televizive. Rezultati: bilanc i fortë dhe hapësirë e madhe në kuadër të fair play-t financiar.
Yjet’ e merkatos
Dy goditjet më të mëdha ishin Alexander Isak, blerë nga Newcastle për 144 milionë euro, dhe Florian Wirtz, marrë nga Bayer Leverkusen për 136 milionë. Së bashku, i kushtuan klubit 280 milionë euro, duke thyer rekordin e transferimeve më të shtrenjta në historinë e Premier League.
Lista e afrimeve vijon me Hugo Ekitike nga Eintracht Frankfurt për 91 milionë, Milos Kerkez (46.5 milionë), Jeremie Frimpong (35 milionë), portieri Giorgi Mamardashvili (28 milionë) dhe talenti 18-vjeçar Giovanni Leoni nga Parma për 30 milionë, i konsideruar si ‘Van Dijk’ i së ardhmes.
Strategji dhe të ardhura
Megjithëse klubi ka arkëtuar mbi 239 milionë euro nga shitjet (përfshirë marrëveshjen e Aston Villa për Harvey Elliott), sekreti i fuqisë blerëse nuk qëndron vetëm te merkatoja dalëse. Çelësi është kombinimi i fitimeve sportive, fuqisë komerciale dhe menaxhimit të kujdesshëm financiar.
Liverpool jo vetëm që ka përforcuar ndjeshëm skuadrën e Arne Slot për sezonin aktual, por ka hedhur themelet për një cikël të ri dominues në futbollin anglez dhe atë europian./Syri.net/