Një hotel shumë i frekuentuar nga njerëzit më në zë të kohës, aristokratë, ushtarakë e politikanë, ka qenë “Internacionali”, ndër të parët e ndërtuar në Tiranën e viteve ’20, i vendosur disa dhjetëra metra pas “Kursalit”, në rrugën dytësore midis asaj së Kavajës dhe Durrësit. Ishte ndërtesë e lartë, moderne për kohën, me dhoma të gjera e të ndritshme, të pastra, edhe pse mungonte uji i rrjedhshëm, sallone në çdo kat për të pritur mysafirë, banjë e telefon në dispozicion të klientëve. Poshtë ishte restoranti me kafenenë, që mbi të gjitha kujtohen për pastërti shembullore e shërbim të mirë.
Çmimi i një dhome ishte 2.40 franga ari në ditë, lirë për nivelin e hotelit. Në katin e parë të tij për shumë kohë ka jetuar Kryeministri i Shqipërisë, Hysen Beg Vrioni, ndërsa në dhomat e tjera kanë banuar edhe të tjerë ministra, nëpunës të Bashkisë, tagrambledhës, kolonelë, oficerë. Dikush paguante edhe 4.80 franga pasi mbante dy dhoma, një për të fjetur dhe një për të pritur.
Salla e restorantit ku shërbente edhe Ismeti, pronari i “Internacionalit”, një njeri shumë i qeshur, mikpritës, bashkë me kamerierin Gocija, ishte shumë i gjatë, i gjerë e i lartë, me një strukturë europiane. Që nga pecetat, thikat, te gotat e kristalta vinin nga Holanda. Në ambientet e tij janë xhiruar edhe filma shqiptarë.