Shqipëri me më t’bukurin qiell,
që ndrit e vezullon si një Diell,
m’je gjaku në deje,më je shpirti,
oh,lum kush tek Ti shtatin rriti.
Sonte në ëndërr e imja nënloke,
sikur kisha dy krahë shqiponje,
eh,larg në viset e tua fluturova,
lumenj,fusha dhe male kalova.
Hop u ndala në bjeshkët e larta ,
kur Hëna lëshonte rreze të arta,
e tek shikoja yjet plot shpresë,
më dukej vehtja si mbretëreshë.
Pa për lumin më rrëshqet malli,
m’bien ndërmend gurët e zallit,
bjeshkët e larta ku rreh freskija,
ku dëgjohen lahuta dhe çiftelija.
Atje ku shqiponjat kanë folenë,
ku çobaneshat e ruajnë kopenë,
ku në livadhe dhent blegërijnë,
vetëm atje sonte e gjej qetësinë.
Bash pra atje janë trojet e mija,
ku çdo pëllëmbë shkela si fëmija,
është vendlindja ime aq e bekuar,
dhe frymëzimi im në letër shkruar.
Qetë në varg të thërras në emër,
dashurinë tënde prek me zemër,
zjarri i mallit aspak nuk më fiket,
më bëhen bashkë të gjitha stinët.
Kur bie bora,bjeshkët e bardha ,
n’vjeshtë kur piqen ftoj e dardha,
dhe në pranver lulet buzë liqenit
vera e nxehtë me aromë të detit.
Në çdo stinë Ti më ke aq hijeshi ,
moj Shqiperi,që nga jugu në veri,
ke male,kodra,pyje,fusha dhe det,
Ti më e hijshmja zonjë,je n’planet.