Sunday, December 28, 2025
BallinaVitrina e libritCikël poetik me poetin Rifat Ismaili

Cikël poetik me poetin Rifat Ismaili

KU JE?
Ku je?
Unë jam këtu ku më le…
Çfarë po bën?
Ke fjetur
Apo gjumi s’ të zë?
A më mendon?
Po mundohesh t’ më harrosh?
Sa dua dhe unë të t’harroj!
Mbaj poshtë jastëkut
Ende shallin tënd rozë
Dhe s mund ta hedh poshtë!
A e di, një natë, padashje
Shkela mbi krehrin tënd
Dhe më shpoi kujtimi yt
Si një gjëmb.
Je krehur?
Ke veshur atë bluzën
Që të dhurova une?
I mban ende trendafilat
Pranë teje
Në shtrat
Mbi tapet,
Gjithkund?
A je e mërzitur?
Ndjehesh e vetmuar?
A të mungoj?
Ti më mungon
Po s, mund ta them dot!
Atë natë
Që u largove
A e mban mend?
Me litarët e shiut
Më lidhe fjalët
Dhe dot s’ta thashë
Që s’ desha më as të jetoj.
Të lodhi dashuria?
Më the se dashuria
Është një peshë e rëndë
Që s’ mund të përballosh…
Më the se ke nevojë
Të reflektosh
Për vetmi
Kishe nevojë
Dhe u zhduke në errësirë
E zbehur si një hënë.
Po prapë këtu jam
S’ dua të të kujtoj,
Ke fjetur?
Ke lexuar ndonjë gjë?
Ke dhimbje koke?
Je e lumtur?
Çfarë po bën?
Po pse të mundoj?
Pse veten mundoj…
Pse prapë të mendoj?
Të mendoj, veç të mendoj
Po s’ të telefonoj…
Nuk guxoj…
Të ndjej nëpër pore
Tek unë je kudo!
Por dua ,sa dua
Të të harroj!…

………………………………………………………………………….

SHPIRTI DIELLOR
Shpirti ecën drejt diellit.
Flakët i lëpijnë plagët.
Bien më poshtë hijet
Rrëshqet në humnerë vdekja.
Shikimi im hap në qiell
Të vërtetën e ndjeshme
Të vuajtjes njerëzore.
Karvani i qenieve të pafajshme
Më ndjek në shkretëtirë
Që shtrihet si një det lotësh.
Fëmijë te ndritshëm
Pleq të verbuar nga dhimbjet
Mbulojnë mëngjezin me duar
Për ta mbrojtur nga hijet.
Luftëtarë me shpata vetëtuese
Përgjakin mendjen djallëzore
Që djeg fushat e kadifenjta.
Dhe sytë vajzërorë të pranverës
Që zhduket pa shpërthyer në lule
Pemët e padurueshme.
Vrapojnë shpatat pa drejtues
Thithin gjak foshnjat
Nga gjinj pa qumësht nënash.
Qielli pi heshtjen…
Duart e mia të zgjatura në qiell
Marrin forcë të luftoj
Për njerëzit e mi të gjorë
Që vdesin pa hapur gojë…
Zemra ime rilind nga sytë e tyre!

…………………………………………………..

SHPIRT NËPËR ERË
Miliona këmbë ecin si fijet e barit
Shpirtit të erës në një endje të lirë.
Yjet, mijëra e mijëra duar zgjatin
Dhe ndezin flakë trupin tim
Tek bie në baltë e humb si brilant.
Fantazmat frymojnë në errësirë
U bien degëve të pemëve në mijëra melodi
Qenie balte e sy të enjtur më shtrëngojnë
Drita brenda meje arratiset lart
Duke ndezur fushën e barit…
Vrapojnë poetët e priftërinjtë krahëdjegur
Vajzat e veshura me ar enden nëpër qiej
Mbi kuaj të serte e në krahë engjejsh
E gdhendin dashurinë në qiellin e mermertë.
Dritat e brilantit ua përndjek imazhet
Mbyllur në sarkofagun e një zemre të drojtur
Si kjo imja…

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT