Poezia “Rruga ime” e Urim Mezinit është një meditim dhe udhëtim nëpër kohë, një pelegrinazh i shpirtit që ecën nëpër “rrudhat” e jetës si nëpër një hartë të brendshme të përvojave njerëzore. Poeti nuk i ikën realitetit të plakjes, dhimbjes apo vuajtjes, përkundrazi, i pranon si pjesë të pandarë të rrugës, si stacione që e formësojnë njeriun dhe e mësojnë të jetë.
Rruga e tij nuk është e shtruar me iluzione, por me shenja të kohës, “rrudha” që nuk janë vetëm mbi lëkurë, por mbi shpirt.
Ato janë gjurmë “të betejave” të jetuara, dëshmi të asaj që njeriu, për të mbetur njeri, duhet të përballojë dhimbjen pa u thyer. Rrudhat, për Mezinin, nuk janë simbol i rënies, por i pjekurisë, ato janë gdhendje të kohës në trupin e përkohshëm të njeriut, si nënshkrime të jetës mbi letër.
Kujtimet që “vijnë të më takojnë” janë shpirtra të së kaluarës, miq të heshtur të vetmisë, që sjellin aromën e gëzimeve të dikurshme dhe hijet e vuajtjeve të harruara. Poeti nuk i ndan ato, të mirat dhe të hidhurat janë bashkë, si dy brigje të të njëjtit lumë. Në këtë përzierje kujtimesh, njeriu sheh pas për të kuptuar se çdo plagë ka qenë urë drejt forcës, çdo lot ka qenë dritë drejt kuptimit.
Në fund, mes vargjeve, ai shikon “horizontin” dhe pranon fundin e rrugës me qetësi:
“Aty, ku ajo t’mbarohet, do vendos një pikë.”
Kjo “pikë” nuk është dorëzim, por mbyllje e vetëdijshme, si një njeri që ka shkruar “librin” e vet dhe tashmë pret vetëm heshtjen për ta lexuar me “sytë” e shpirtit.
Bilanci i jetës për poetin nuk është një llogari e ftohtë, por një “stacion” përqëndrimi për t’u kujtuar se në fund, e vetmja gjë që vlen është mënyra si kemi ecur, jo sa gjatë kemi shkuar.
“Rruga ime” është një metaforë e fuqishme e qenies njerëzore.Ajo rrugë s’mbaron me fundin, por me një pikë që nënkupton qetësi, sepse vetëm ai që ka kuptuar vlerën e dhimbjes, mund të pushojë në paqe me veten.
Në vargjet e Mezinit, rruga e jetës nuk është mallkim, por bekim i dhimbshëm. Ajo është provë e shpirtit për të kuptuar se njeriu nuk është ajo që i ndodh, por mënyra si i përgjigjet asaj që i ndodh. Dhe ndoshta, në atë “pikë” të fundit që poeti përmend me butësi, fillon rruga tjetër, ajo që shkon përtej kohës, drejt dritës që s’ka mbarim.
Urime miku im Urim!
Nga Margarit Done
RRUGA IME
Rrugës së jetës,çdo ditë i shtohen rrudhat
Nga dhimbjet,vuajtjet e shumë gjëra tjera
Sëmundjet, në radhë, mbirë si kërpurdhat
Kurajoja ime,i pret dhe i përcjellë te dera
Kujtimet,në heshtje, vijnë të më takojnë
Shumica prej tyre, janë vërtetë të mira
Ka edhe të tjera,që më bëjnë të lotoj
Për t’më kujtuar që,kalova çaste t’vështira
Në kët’ rrjedh logjike,udhën vazhdoj pa tut’
Aty,ku ajo t’mbarohet,do vendos një pikë
Dëshirë kam,bilancin tim t’a bëni pa u ngut
Për besë, frikë kam se,do t’iu lodhë njëçikë
