Wednesday, January 21, 2026
BallinaVitrina e libritElmije Ajazi -A ka shpirti ngjyrë?

Elmije Ajazi -A ka shpirti ngjyrë?

A ka shpirti ngjyrë?
Ndoshta po.
Ndoshta është një ylber i fshehtë
që lind kur lotët dhe drita përqafohen në mes,
si shpirti me trupin —
në çastin e kuptimit të vetvetes.

E ndoshta,
ngjyra e shpirtit është vetë dashuria:
ajo që digjet, por nuk shkrin,
ajo që lëndon, por shëron,
ajo që largohet, por mbetet —
si një dritë e përjetshme
në thellësinë e njeriut.

Por edhe drita, si çdo dashuri,
ka orët e saj të pritjes.
Vështrimi mbetet jeshil,
si gjethe që s’ka rënë ende nga pema e shpirtit.
Shpresa s’ka ikur —
veç pret trenin e saj nën dritën e mjegullt,
ku orët heshtin,
e ëndrrat treten ngadalë
në avullin e kohës që vonon.

Megjithatë,
në thellësinë e syrit
digjet ende një dritë e qetë —
kujtesë e asaj që s’erdhi,
por që rron në çdo frymë,
sepse ndoshta ngjyra e shpirtit
është vetë pritja:
ajo që beson,
edhe kur gjithçka vonon.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT