Më dehu dhe sot simfonia e gjetheve,
ashtu si dehet një i alkoolizuar mbi gotë…
E arta më pushtoi shpirtin mes etheve,
që lindin teksa shoh peisazhin e plotë…
Më hutoi simfonia e gjetheve sot,
nën tingujt e ëmbël kur kafen shijoja…
Një gjethëz papritur mbi filxhan përplot,
voziti mes tij, që ngjyrën t’ia çmoja!
Edhe sot simfoninë e gjetheve ndjeva,
duke veshur me ar çdo rrahje zemre…
Nën notat e vjeshtës, lapsin rrëmbeva;
t’i pikturoja tokës hijeshinë e një femre…
