Friday, March 14, 2025
BallinaVitrina e libritCikël poetik me poeten Seti Pezaku Vladi

Cikël poetik me poeten Seti Pezaku Vladi

GJUHËS SIME

O rrjedhë
e shpirtit tim ndër deje,
erë e dunës së luleve
të pranverës,
o dritë e mall i ndezur
gjer në timen ikje,
të falem ty që më dhe
identitet!

SILUETË NËN UJË

Këtu,
përreth lumit toka është e lagësht
dhe po ashtu e largët.
Shumë gjëra janë të dënuara të jenë të largëta.
Shumëkujt s’i bie rruga
të dëgjojnë këngën monotone të vajit të valëve,
se asnjë lumë s’i tregon të mbyturit e tij
ngatërruar me flokët e ujit.
Pranë bregut,
në fund të një pellgu të verbër uji
befasisht,
fytyra ime pasqyron një siluetë
në formën e një lutje,
herë-herë në formën e një puthje
që fshihet përgjysmë
mes ujit e qiellit
si një foshnjë jetime
që me dhembje gulçon.

Eeeh, më duhet të pi gjithë ujin
për ta rindërtuar siluetën
që dënes me zë të mbytur,
për të nisur gjërat e panisura,
ditët e braktisura në një skaj tjetër të jetës
së lënë pezull.
Është përçartje që rrokullis
skutat e errëta të mendimit të djersitur
me bulëza të verbëra drite!

Mbi ujë
shkruaj me gishtërinjtë e dorës emrin e saj;
silueta u ronit ngadalë
si përpëlitja e fundit e një shpendi të sapo vrarë
dhe humbi në një mjegull plot mister.

………………………………………………………………

DASHURI UJËVARASH

Mali,
me kënge legjendash veshur,
mjekrrën zgjatim kreshtash,
pishtar olimpik digjet
në dashuri për fushën.
Fusha,
nëpër stina ndërron fustan me lulefushe
e i shkel malit petalen e syrit.
Copëtohet mali kur plugohet fusha,
xhelozohet fusha kur rrezja puth malin.
Sa afër e sa larg,
kurrë aromat s’i bashkuan,
dora-dorën s’e preku,
buzët s’u takuan!
Unazat mbetën këngë laureshash.
Dy thëngjij ndezur që digjen në heshtje
të përmallshëm,
të përjetshëm
si dy ujëvara që s’takohen.

GJURMA E FJALËS

Tinëzisht furtunat vijnë e kafshojnë.
Hijet e pemëve
vajtojnë drurët e rrëzuar.
Shkunden ëndrrat e pranverës,
shkunden zjarret e vjeshtës,
ujërat
gërryejnë malin në sup të fushës,
fusha
mbledh lotin e kallëzave të grurit,
lumenjtë
egërsohen e hanë brigjet,
dhimbja
mbi tallaze bie në detin e harresës…
Të nesërmen,
përsëri qiell e diell,
vala puth bregun,
nata përkund gjumin.
Vetëm
gjurma e fjalës së rëndë
hedhur pa kërpesh
rri zgjuar,
mbetet
gjëmim bubullime.

MËNGJES ALPIN

Ylli i agut e puthi Valbonën,
një rrahje zemre shpatin e fshik,
nga meteorët blu zbret ujëvara,
oshtimës lahet bilbili magjik.

Puhizë zambakësh frymon mëngjesi,
lëndinës një daulle griset, bulëret,
harkon troku i këngës dasmore,
Valbona lë mallin mbi lule e flet’.

HAPNI PORTAT

Hapni portat
të shkarkoj barrën e ngarkuar!
Shikoni sytë e lodhur
bashkuar me zërat e zogjve,
fëshfërimën e gjetheve,
lotin e deteve!
Dëgjoni dhe psherëtimën e karriges në vajtim
ku gërvisht një patericë,
një kashtë egjre!

Meritokracia troket…,
hije prapa dyerve,
kthyer në personazh udhëkryqesh.
Me zhgënjimin mbi shpinë merr arratinë …,
era e degdis pikëllimë fati
ku mallin e çmall me dallëndyshet.

Hapni portat të hyjnë shkumëbardhat,
të hyjë oksigjeni i jetës,
ajri i qiellit,
drita e diellit,
të hyjnë
pranverat e pranverave
dalë nga olimpet e dijes!

@Seti Pezaku Vlad

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT