Shikoj shiun duke rënë mbi xham
Zhurmë qetësuese si një mrekulli,
Çdo pikë shiu sikur troket në kujtesën time
Ku paluar kam nga një histori.
Një dhomë kujtimesh më kujton fëmijërinë
Kur duke ecur zbathur shuanim kërshërinë
Dhe ashtu krejt shkujdesur larg syve tjerëve
Dukej sikur e shijonim atë copë liri.
Më kujtohen kapelat prej letre
Se të kishe çadër ishte luks
Dhe shpesh imagjinonim shiun
Sikur po bënim dush.
Një tjetër ma kujton rininë
Kur as shiu nuk mundej me na ndalu
Kur donim të argëtoheshim
Ose thjesht në shi donim me vallëzu.
Një tjetër ma kujton kohën e pjekurisë
Kur dhe në shi kërkonim kuptimin e dashurisë
Kur të njoha më duket se binte shi
Kur binte shi rrebesh kujtimesh!
