Juventusi ka mbyllur vitin 2025 me një fitore të rëndësishme në transfertë, duke mposhtur Pisan me rezultat 2-0 në “Garibaldi Arena”.
Bardhezinjtë siguruan tre pikët falë një autogoli dhe një goli në minutat shtesë, në një ndeshje ku vendimtare ishte edhe paraqitja e Edon Zhegrovës.
Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 73-të, pas një aksioni nga krahu i djathtë i Zhegrovës. Sulmuesi kosovar e çoi topin në zonë, ndërsa pas një devijimi, mbrojtësi i Pisas, Calabresi, dërgoi topin në portën e tij, duke i dhënë avantazhin Juventusit.
Në minutën e 90+2, Juventusi vulosi fitoren me golin e talentit Kenan Yildiz, i cili shfrytëzoi asistimin e David për të dyfishuar rezultatin.
Zhegrova, i cili e nisi ndeshjen nga stoli, u aktivizua në minutën e 60-të dhe solli menjëherë freski në lojën e Juventusit. Me depërtime dhe iniciativa nga krahu i djathtë, ai ringjalli ofensivën bardhezi dhe pati një paraqitje solide, duke u kthyer në një nga figurat kryesore të takimit, shkruan Gazeta Express.
Me këtë fitore, Juventusi ngjitet në vendin e tretë të renditjes së Serie A me 32 pikë, duke e mbyllur vitin në formë pozitive dhe me optimizëm për vazhdimësinë e sezonit./Gazeta Express/
