Wednesday, January 21, 2026
BallinaKalendari EnciklopedikZymer Mehani -Mërgata – arteria kryesore e zemrës së Kosovës

Zymer Mehani -Mërgata – arteria kryesore e zemrës së Kosovës

Në historinë e Kosovës, pak janë shtyllat që kanë mbajtur peshën e mbijetesës kombëtare sa mërgata shqiptare. Ajo nuk ka qenë kurrë thjesht një bashkësi njerëzish të larguar nga vendlindja për kushte më të mira jetese; mërgata ka qenë dhe mbetet arteria kryesore e zemrës së Kosovës – ajo që ka furnizuar me gjak, shpresë dhe fuqi çdo fazë të ekzistencës sonë shtetërore.

Sidomos pas zgjedhjeve të fundit, në mënyrë të pakuptimtë e të padrejtë, po hidhet “dru e gur” mbi mërgatën. Po tentohet të minimizohet roli i saj, të vihet në dyshim e drejta për të menduar, për të votuar, për të ndikuar. Kjo qasje nuk është vetëm fyese, por edhe historikisht e gabuar dhe politikisht e rrezikshme.

Pa mërgatën, Kosova nuk do ta kishte kaluar as fazën e mbijetesës, e lëre më atë të shtetndërtimit. Ishte mërgata ajo që mbajti gjallë familjet në vitet e okupimit përmes remitencave, ajo që financoi arsimin paralel, shëndetësinë, rezistencën politike dhe më vonë luftën çlirimtare. Nga kontributet mujore të punëtorëve në Evropë e më gjerë, deri te lobimi politik në qendrat vendimmarrëse ndërkombëtare, mërgata ishte zëri i Kosovës kur ajo nuk kishte mikrofon.

Në ditët më të errëta, kur Kosova digjej e shkretohej, mërgata u bë ambasada jonë e parë. Ajo organizoi protesta, sensibilizoi opinionin ndërkombëtar, trokiti në dyert e parlamenteve dhe institucioneve perëndimore. Pa këtë angazhim, pa këtë këmbëngulje, shteti i Kosovës do të kishte mbetur një aspiratë e shtypur, jo një realitet politik.

Sot, kur Kosova është shtet, mërgata vazhdon të mbetet një nga shtyllat kryesore ekonomike. Remitencat nuk janë thjesht shifra statistikore; ato janë bukë në tryezë, shkollim për fëmijë, investime në shtëpi e biznese, stabilitet social dhe ekonomik. Mërgata e ka mbajtur Kosovën gjallë edhe në paqe, ashtu siç e mbajti në luftë.

Sulmet ndaj mërgatës, veçanërisht në kontekstin e zgjedhjeve, janë shpesh produkt i frikës politike dhe i një mendësie përjashtuese. Të mohosh kontributin e saj, ose të tentosh ta heshtësh zërin e saj demokratik, do të thotë të presësh vetë arterien që e mban zemrën gjallë. Mërgata nuk është “e jashtme” ndaj Kosovës; ajo është pjesë organike e trupit kombëtar.

Kosova nuk ka luksin të përçahet mes “këtu” dhe “aty”. Mërgata nuk është kundërshtar, por aleat; jo barrë, por forcë; jo spektator, por bashkëndërtuese e shtetit. Ta respektosh mërgatën do të thotë ta respektosh historinë tënde, sakrificën tënde dhe vetë themelet e shtetit.

Prandaj, çdo fjalë e rëndë ndaj mërgatës është një fjalë kundër vetë Kosovës, sepse e vërteta është e thjeshtë dhe e pamohueshme: pa mërgatën, nuk do të kishim shtet – as dje, as sot, e as nesër.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT