Wednesday, January 21, 2026
BallinaVitrina e libritManushaqe Hoxha Laçi-Si vdes dhe si rilind një grua

Manushaqe Hoxha Laçi-Si vdes dhe si rilind një grua

Si vdes një grua që merr frymë si ti,
që ecën, që flet, por ka heshtjen në sy?
A vdes nga një thikë, nga një plagë në gji?
Jo, vdes ngadalë dhe askush nuk e di.

Vdes kur s’sheh më dritë në agimet e saj,
kur shikon pas pasqyrës një shpirt pa faj,
kur s’prek më buzëkuqin që s’rrinte pa të,
por që është rrënuar e as vaj s’ka më.

Vdes kur fjalët “më mungon” nuk i thotë,
kur buzë e faqe i janë dehur me lotë,
kur s’pyet më kush po vjen, kush po ikën,
kur dashuria s’ka më as zë, as ritëm.

Vdes kur në zemër ka një mort të fshehur,
kur qesh, por brenda ka shpresën e vdekur,
kur fjalët i bëhen si gur në gji,
dhe vetes s’i thotë: “ringrihu përsëri”!

Mban botën mbi supe, me shenjë e me plagë,
po askush s’ia sheh zemrën plot vragë.
Kështu vdes një grua: jo me dhimbje që bërtet,
por në heshtje, si yll që në errësirë tretet.

Gruan mund ta vrasësh por rilind përsëri,
sërish nga hiri i vet ajo bëhet perëndi,
se një grua s’mbetet e rrëzuar gjithmonë,
në çdo mëngjes të saj, një rilindje fillon.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT