Janar, flakë e lavdisë
Ti Janar, akull e heshtje e ngrirë,
Lavdi, zjarr që s’njeh hi,
je dritë, jo e ardhur nga dielli,
por nga gjokset që u bënë shkrumb për liri.
Nuk digjet kjo flakë me dru e as me thëllim,
por me amanetin e Gjergjit që ndizet n’përjetësi,
me dorën e Ismajl Qemajlit që mbajti një flamur,
e me gjakun e trimave që s’u bënë kurrë gur.
Mbi akullin e kohës, ku Janari hedh vello,
Ngrihet Isa Boletini, si shkëmb mbi kulla,
Me dorën në kobure e sytë te Vlora,
Ai që s’u përkul kurrë, as nga mbretërit, as nga bora.
Në natën e gjatë .e acar në gurbet,
U ndezën tri shkëndija që s’i shuan dot asnjë det:
Jusufi me penën që priste si shpatë,
Bardhoshi e Kadriu meteore në flakë.
Nën prangat e brymës, ku nata ngrin shpirtin,
Tre yje u ndezën mbi rrugën me pritë,
Zahiri me shokët, që vdekjen e sfiduan,
Dhanë gjakun e tyre, të na sjellin dritë.
Që t’i tregonte popullit rrugën drejt lirisë në rritë.
E kur Janari sillej si bishë rreth pragut,
U shfaq Ibrahim Rugova, arkitekt durimi e pavarësie,
Me shallin në qaf, besëlidhje e re,
Kur bisha tërbohet e vjell vrer e kob,
Kur Janari n’pabesi kërkon koka e robë,
Kjo flakë bëhet udhë, bëhet shpresë e bëhet fe,
Për ta mbrojtur me thonj këtë të shenjtë dhe.
Në Reçak, flaka lau sytë me lot e me gjak,
Në Kodrën e Trimave ajo u bë prag e oxhak,
Se heroi nuk vdes kur ngrin trupi në borë,
Ai digjet si yll, që ta kenë të tjerët n’dorë.
Janar i ftohtë, kot kërkon të na fshish kujtesën,
Mbi akullin tënd trimat mbollën qëndresën,
Flaka jote, nuk ngeli më vetëm shkëndijë,
U bë dielli i Kosovës që shkëlqen në çdo shtëpi.
Lavdia nuk fiket, ajo rritet e rritet,
Si flakadan që kalon dorë më dorë nëpër vite,
Dhe në çdo Janar, sado akull të bjerë,
Shqipja gjen zjarrin e vet në çdo skëterrë.
