Fillimi i javës u karakterizua me mot kryesisht të kthjellët dhe acar të fortë në orët e mëngjesit, ku temperaturat zbritën deri në -9°C. Gjatë ditës, temperaturat kaluan lehtësisht në vlera pozitive, sidomos të martën.
Të mërkurën, cikloni që po sjell përmbytje masive në disa shtete të Mesdheut do të ketë ndikim të dobët tek ne, pasi qendra e tij do të lëvizë drejt Greqisë dhe Turqisë, për të vazhduar më pas drejt Lindjes së Mesme. Nën këto kushte, pritet shtim i vranësirave dhe reshje të pakta lokale bore.
Të enjten pritet shtrirje graduale e masave më të ngrohta ajrore. Dita do të karakterizohet me diell dhe vranësira, ndërsa lokalisht mund të ketë reshje të izoluara bore dhe shiu, kryesisht në orët e mëngjesit, si dhe vonë pasdite e në mbrëmje. Temperaturat shënojnë ngritje.
Të premten, pas një mëngjesi me vranësira dhe mjegull lokale, ku mund të ketë ndonjë reshje të izoluar, dita do të vijojë me diell dhe vranësira të pakta.
Të shtunën pritet shtim i vranësirave, ndërsa gjatë ditës dhe në mbrëmje parashihen reshje të pakta lokale shiu, kryesisht të përqendruara në Rrafshin e Dukagjinit.
Të dielën parashihet mot me vranësira të shpeshta dhe ardhja e një sistemi të ri reshjesh, kryesisht në formë shiu, ndërsa në zonat malore reshje bore.
Era do të fryjë kryesisht nga juglindja, e cila të mërkurën dhe të dielën pritet herë pas here të jetë mjaft e fuqishme lokalisht, me shpejtësi prej 15-55 km/h./Meteo Kosova/
