Kur muzgu bie mbi kryet e qytetit tim,
e gjithë natyra hedh
velon bojë hiri të buzëmbrëmjes.
Gjithçka trajtëzohet ndryshe në sfond.
Hapat ngadalësojnë ritmin e ecjes mbi trotuar,
pemët mbledhin shpendinë në gjunjtë e padukshëm të tyre,
dhe hijet e kurorave të zmadhuara prej dritave transhendente
zgjaten ngjitur, vesh më vesh,
të mos humbasin temat e bisedave,
nga ato më të zakonshmet,
deri te ato më të çuditshmet.
Të jenë të vetmet që përgjojnë intimitetin,
me përshpëritjet përkëdhelëse të çifteve.
Aroma e misrave dhe e kokoshkave
fton nuhatjet e kalimtarëve
që nuk u rezistojnë dot.
Ndihem e mikluar nga joshja e zbrurët e muzgut,
mbërthej mbi supet e brishta pallton,
nën vezullimin e Hënës së plotë.
Ngre kokën përpjetë
dhe Hëna e akullt, me zjarrminë e vjedhur,
duket se më lexon.
Ka kohë që flasim
e shkëmbejmë fjalë në heshtje.
Vetëm ajo m’i njeh sekretet,
e unë në kureshtje mbetem,
sa herë për gjysmën tjetër të errësuar.
